Serweri: Kosova ka nevojë për një president të ri

07 dhjetor 2020 | 12:19

Vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi është paralajmëruar për 10 dhjetor. Një gjë të tillë e ka mirëpritur profesori i Universitetit “Johns Hopkins” në Uashington, Daniel Serwer.

Ai ka thënë se në këtë proces janë dy gjëra me rëndësi reciprociteti dhe zbatimi i marrëveshjes .

“Çfarëdo që të kërkojë Prishtina ose Beogradi, ata duhet të jenë të gatshëm të japin një ekuivalent. Dhe gjithçka që është rënë dakord duhet të zbatohet në një mënyrë të verifikueshme. Duhet gjithashtu të jetë e qartë se dialogu ekziston me një qëllim: të mundësojë njohjen reciproke dhe shkëmbimin e ambasadorëve. Asgjë më pak se kaq është normalizimi i vërtetë”, ka thënë Serweri.

Serweri ka thënë se beson se Kosova mund t’i zëvendësojë ish-liderët politikë që janë transferuar në paraburgim në Gjykatës Speciale në Hagë si të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Serweri ka thënë se ka shumë njerëz në Kosovë që mund ta kompensojnë mungesën e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

“Sigurisht që ka. Kosova ka shumë njerëz që mund të zëvendësojnë të akuzuarit, të cilët me të drejtë shkuan të mbrohen”, ka thënë Serweri në një intervistë për mediumin serb në Kosovë, “Kosovo Online”.

Më tutje, ai ka thënë se Qeveria aktuale në Kosovë do të bëjë gjithçka për të mos shkuar në zgjedhje, sepse sipas tij ata do të humbnin.

“Kosova ka nevojë për një president të ri. Nëse kjo nuk mund të bëhet brenda afatit në Kuvendin aktual, do të duhet një Kuvend i ri, që do të thotë zgjedhje. Por unë pres që koalicioni aktual qeverisës do të bëjë gjithçka për ta shmangur atë, sepse mund të humbasë. Zgjerimi i koalicionit mund të zgjidhë të dy problemet”, është shprehur Serweri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e re e Malit të Zi, e cila për…