Serweri për dinarin: Çfarëdo që Kosova vendos, ShBA-ja dhe BE-ja e kundërshtojnë
Njohësi i zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer, ka komentuar vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës lidhur me dinarin.
Ai ka thënë se i pëlqen qëndrimi i BQK-së kur thotë se është institucion i pavarur.
Sipas tij, çështja këtu është që Kosova e përdor euron si valutë të saj dhe dinari nuk po ndalohet. Ka shtuar se njerëzit prapë mund ta përdorin dinarin, por që transaksionet duhet të bëhen vetëm me monedhën euro.
“Dhe thënë të drejtën, unë e kuptoj një vendim të tillë. Euroja është një valutë më e qëndrueshme sesa dinari. Askush nuk humb para përveçse kur bëhet këmbimi i parave dhe sinqerisht përdorimi i dinarit në Kosovë është një shkelje e sovranitetit të Kosovës. Mund ta kuptoj se 15 vjet pas pavarësisë banka e sheh si kohë të përshtatshme për të zbatuar ligjin. Kjo nuk është një çështje e madhe, por një gjë e vogël, që ka një rëndësi simbolike për çështjen e sovranitetit”, ka thënë ai.
Ka deklaruar se ShBA-ja dhe BE-ja siç duket nuk kanë kufizime se çfarë i kërkojnë Kosovës, dhe nuk kanë kufizime për qasjen e pabalancuar që kanë ndaj të dy shteteve.
Sipas tij, ShBA-së dhe BE-së u është bërë shprehi kjo gjë.
Ka shtuar se çdo gjë që Kosova vendos, SHBA-ja dhe BE-ja ose e kundërshtojnë, ose kërkojnë shtyrje të atij vendimi.
“Kjo qartazi është një politikë jobalancuese që nuk po funksionon dhe pjesërisht është shkaktari i ngërçit në dialog. SHBA-ja dhe BE-ja duhet të sprapsen dhe të lejojnë një shtet sovran që t’i zbatojë ligjet e saj.