Serweri: Po përgatitet marrëveshje me shkëmbim territoresh e njerëzish, Borelli po shkon në atë drejtim

07 maj 2020 | 13:58

Mospërjashtimi i idesë së korrigjimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë nga përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borell, po shihet si një qëndrim i rrezikshëm dhe i pa sinqertë nga eksperti amerikan dhe njohësi i rrethanave në Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer.

Serweri ka thënë se Borelli është duke lëvizur drejt linjës që po ndjek emisari i presidentit amerikan, Donald  Trump, Richard Grenell.

Serweri ka thënë se moskundërshtimi i prekjes së kufijve Kosovë-Serbi nga Borelli nënkupton josinqeritet. Sipas tij, Borelli tashmë e di shumë mirë se Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq janë duke përgatitur një marrëveshje me shkëmbim njerëzisht e territoresh bazuar në linja etnike.

“Borelli është duke adoptuar linjën e Grenellit, gjë që është e pasinqertë dhe e rrezikshme. E pa sinqertë sepse ai e di fort mirë që presidenti Thaçi dhe Vuçiqi janë duke gatuar një shkëmbim të njerëzve dhe territoreve në baza etnike, gjë që është e paprecedentë në periudhën e pas Luftës së Ftohtë dhe shkel mbi parimin themelor mbi të cilin shumica e luftërave në Ballkan kishin nisur”, ka thënë Serweri për “Express”.

Ai ka thënë se  një qasje  e tillë e Borell është e rrezikshme sepse një lëvizje e mundshme e kufijve do të shkaktojë efekt zinxhiror dhe destabilizim brenda Serbisë, Bosnje e Hercegovinës dhe Maqedonisë.

“E rrezikshme sepse një shkëmbim i tillë do të shkaktojë një reagim zinxhior të destabilitetit brenda Serbisë (veçanërisht Sanxhaku), Bosnje dhe në Maqedoni”, ka thënë Serweri.

Sipas tij një lëvizje e kufijve në Ballkan bauzar në vija etnike, do të ndikojë edhe në forcimin e pozitës së Rusisë në Gjeorgji, Moldavi e Ukrainë.

Serweri ka theksuar se Borelli duhet të shqetësohet edhe për atë se çfarë nënkupton për Kataloninë një lëvizje e kufijve për të akomoduar dallimet etnike e gjuhësore.

“Gjithashtu do të forcojë pozitën e Putinit brenda Gjeorgjisë, Moldavisë dhe Ukrainës. Borell duhet të shqetësohet më shumë se çfarë do të thotë për Kataloninë rivizatimi I kufijve për të akomoduar dallimet gjuhësore/etnike”, është shprehur profesori amerikan.

Në fund, Serweri ka thënë se është fat i mirë që Gjermania ka qenë unike në kundërshtimin e lëvizjes së kufijve në baza etnike. Por, ai ka thënë se shkuarja e Angela Merkelit do të ngre shumë pikëpyetje meqë s’dihet se kush do të pasojë atë në pozitën e kancelares.

“Fatmirësisht, Gjermania ka qenë e qartë dhe njëzëri në kundërshtimin parimor të shkëmbimit të territoreve dhe njerëzve bazuar në linja etnike. Por Merkeli po shkon, dhe askush nuk e di se kush do ta pasojë atë”, ka deklaruar Serweri.

Borelli në një intervistë për disa media të Ballkanit nuk ka kundërshtuar idenë e korrigjimit të kufijve, duke thënë se për një gjë të tillë u takon të merren vesh Kosova e Serbia.

Ai ka thënë se Bashkimi Evropian nuk mund të bëhet “më katolik se Papa”. Një deklaratë e tillë e Borellit ka nxitur reagime të mëdha, duke u kundërshtuar pothuajse nga të gjithë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Sabri Kiçmari Në historinë e Lëvizjes sonë për liri…