Serweri: Reagimi i Erdoganit pas deportimeve, në vazhdën e prirjeve të tij autokrate
Analisti Daniel Serwer, studiues në Qendrën për Marrëdhënie Transatlantike në Universitetin Johns Hopkins, tha të hënën se reagimi i presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, pas depor- timit të shtetasve turq nga Kosova, është shqetësues, por është në vazhdën e prirjeve të tij brenda vendit dhe jashtë tij.
Serweri ka thënë se lidhur me rrethanat e deportimit do të ishte mirë të priteshin rezultatet hetimit.
Analisti Serwer ka shtuar se Erdogani përbën shqetësim për shumë amerikanë jo vetëm për këtë arsye, por edhe për të tjera, përfshirë një sjellje gjithnjë e më autokrate, që nuk është aspak e përshtatshme për një vend që ka pasur aspirata për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe që ende aspiron të jetë demokraci.
“Pra po, është shqetësuese, por të them të vërtetën nga perspektiva amerikane është një çështje me rëndësi relativisht të vogël, krahasuar me shqetësimet e tjera, lidhur me Erdoganin, rojat e sigurisë të të cilit rrahën demonstruesit në Uashington. Ka shumë gjëra që janë të gabuara në mënyrën se si po sillen autoritetet turke”, ka deklaruar Serweri.
Serweri ka pohuar se Turqia ka luajtur rol pozitiv në Ballkan, veçanërisht në vitet ’90 dhe 2000.
“Shqetësimi im është se gjithnjë e më shumë Turqia duket se po ushtron ndikimin e saj përmes lidhjeve me ‘Vëllazërinë Myslimane’ dhe kjo më shqetëson. Ishte një kohë kur Turqia donte të kishte marrëdhënie të mira me të gjithë në Ballkan dhe mbi ato baza bëri biznes tregtar. Ajo që shoh tani është një sjellje e ndryshme e Turqisë që më shqetëson”, ka deklaruar Serweri për “Zërin e Amerikës”.
Duke e analizuar ngjarjen e fundit në kontekstin e masave të Turqisë, pas asaj që Erdogani e ka konsideruar si tentativë për grushtshtet të lëvizjes së Fetullah Gulenit, Serweri tha se masat kundër mbështetësve të tij janë të tepruara.
“Nuk jam shumë i sigurt për këta individë në Kosovë, por masat pas tentativës për grushtshtet janë shqetësuese për Uashingtonin dhe për këdo që beson se të drejtat e njeriut janë të rëndësishme”, ka thënë ai.
Serweri ka theksuar se Perëndimi duhet t’i ndjekë me vëmendje zhvillime në Turqi dhe ta kritikojë Erdoganin për shumë aspekte, përfshirë këtë çështje.
Ai shton se mungesa e vëmendjes nga Perëndimi është pjesë e arsyes që Erdogani nuk druhet të veprojë me forcë brenda dhe jashtë Turqisë.