Sfarqa: Kthimi i metodave të vetagresivitetit në LDK, i papranueshëm
Kryetari i Degës së LDK-së në Ferizaj, Muharrem Sfarqa është deklaruar pas akuzave që i janë bërë nga disa anëtarë të Kryesisë së kësaj partie, të cilët kanë thënë se Sfarqa e ka uzurpuar këtë parti në këtë komunë.
Në një konferencë me gazetarë, Sfarqa ka thënë se Kuvendin zgjedhor do ta thërras në kohën e duhur dhe se nuk do t’i nënshtrohet asnjë shantazhi apo kërcënimi.
Sfarqa ka thënë se nuk është i obliguar të thirret ndonjë mbledhje të Kryesisë së LDK-së në Ferizaj, pasi ka thënë se mbledhjet thirren ne fund të procesit zgjedhor.
“Kuvendin do ta thërras atëherë kur vlerësoj që janë kryer të gjitha përgatitjet për organizimin e Kuvendit, pa pasur nevojë t’i nënshtrohem asnjë presioni, asnjë shantazhi apo kërcënimi eventual që vije si pasojë e tendencave për futjen ose për rikthimin e një forme të vetsakrificës të LDK-së pa pasur nevojë të sakrifikohen interesat individuale të atyre që janë në LDK”, ka thënë Sfarqa.
Më tutje, ai ka thënë se kthimi i metodave të vetagresivitetit në LDK është i papranueshëm.
“Kthimi i metodave të vetagresivitetit që unë mendoj që zanafillën e kanë në Ferizaj nëse shikohet historiku i saj për tërë LDK-në e Kosovës, mendoj që janë kërcënim për vet ata që mendojnë dhe mundohen ta kthejnë ketë formë të zgjidhjes së problemeve brenda partisë e cila është e papranueshme dhe në asnjë mënyrë nuk do të legjitimohet si formë e marrjes së udhëheqjes në çfarëdo strukture”, ka thënë Sfarqa.