Sfida e ardhshme e Ballkanit: frenimi i korrupsionit
Prof. Dr. Blerim Reka
- Pse luftimi i korrupsionit në Ballkan është digë kundër ardhjes së lojtarëve strategjik jashtë komunitetit Euro-Atlantik?
Dekadat e politikave të stabilizimit penguan luftërat e reja në Ballkanin Perëndimor, por qeverisja demokratike mezi gjallëron në rajon. Nën maskën e mbrojtjes së stabilitetit, oligarkitë e korruptuara kanë manipuluar sistemet politike në vendet e rajonit, duke kapur efektivisht shtetet dhe duke i bërë ata të papërshtatshëm për t’u bashkuar me BE dhe NATO-n. Shqetësimet gjeopolitike të Brukselit dhe Uashingtonit, synojnë që këtë sistem të kalbur ta çmontojnë.
Ballkani Perëndimor domosdo duhet bërë një tranzicion vendimtar. Pas rreth një çerek shekulli të politikave post-konfliktuale, që synonin stabilitetin dhe fqinjësinë e mirë, BE dhe ShBA po fillojnë së bashku një proces të ri tranzicioni për të nxitur qeverisjen demokratike në rajon. Fuqitë perëndimore duan që ajo të ankorohet në institucione të qëndrueshme, në administratën publike efikase dhe në gjyqësi të pavarur dhe neutrale. Megjithatë, të gjithë këto dëshira nuk mund të materializohen, pa e çrrënjosur paraprakisht kulturën e thellë të korrupsionit politik në Ballkan.
Korrupsioni i përhapur është një sfidë e përbashkët për Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën, Republikën e Maqedonisë, Kosovën, Malin e Zi dhe Serbinë. Zgjedhjet nuk arritën të demokratizojnë dhe përmirësojnë mënyrën se si këto vende drejtohen. Institucionet e dala nga këto zgjedhje prodhuan Qeveri mbi Kuvendin, duke ricikluar fuqinë e tyre dhe në fakt duke inauguruar, “kapjen” e shteteve, siç thekson raporti i Komisionit Evropian që nga viti 2016.
Në një brifing me Think Tank-ët në Parlamentin Evropian në prill të vitit 2017, situata ishte përshkrua kështu: “Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë ndërmarrë një sërë hapash kundër korrupsionit, siç është miratimi i legjislacionit dhe krijimi i institucioneve të përkushtuara në luftën kundër korrupsionit me kompetenca parandaluese dhe ndëshkuese. Ato janë gjithashtu palë në të gjitha konventat ndërkombëtare përkatëse. Komisioni, si dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare, ka matur progresin vjetor në këtë drejtim dhe BE-ja ka mbështetur përpjekjet kundër korrupsionit financiarisht dhe nëpërmjet dhënies së ekspertizës. Megjithatë, vlerësimet më të fundit të vitit 2016 tregojnë se korrupsioni vazhdon të përhapet në rajon. Megjithëse korniza ligjore dhe institucionale në masë të është e përshtatshme, dhe BE-ja u ka dhënë prioritet reformave të qeverisjes së mirë në procesin e para anëtarësimit, rezultatet konkrete të arritura në terren janë shpërpjesëtimisht të pakta…”.
BE-ja u bëri thirrje të gjitha vendeve të Ballkanit që të merren me këtë problem. Diplomacia e ShBA-së, gjithashtu, filloi një ofensivë diplomatike në frontin kundër korrupsionit. Kjo ngase Uashingtoni dhe Brukseli duan se pa i zgjidhur sfidat e tij sistematike, Ballkani mund të degjenerohet në një grumbull të shteteve të dështuara. Përhapja gjeopolitike e një skenari të tillë do të ishte e zymtë për rajonin, por edhe për tërë Evropën.
Priten presione ndërkombëtare
Më 6 shkurt të këtij viti, BE-ja publikoi strategjinë e re të pranimit për Ballkanin Perëndimor për të frymëzuar një jetë të re në procesin e zvarritur me vite. Megjithatë, kriteret strikte për pranimin e shteteve kandidate të vendosura nga Këshilli i BE-së në Kopenhagë (1993) dhe Madrid (1995) nuk do të anashkalohen. Së voni këtë ua bëri të qartë vetë Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Junker, liderëve të Ballkanit gjatë turneut të tij të fundit në rajon.
Nisma, e mbështetur nga ShBA, synon një demokratizim themelor dhe shumëdimensional brenda një dekade të tërë rajonit. Në vitet 2018-2025, shtetet e Ballkanit duhet të transformohen nga shoqëri “post-konflikti” në shoqëri “post- korruptive”.
BE-ja nuk do të tolerojë nënshtrimin sundimit të ligjit në Ballkan në emër të sigurisë, ose amnistimin bosëve të korruptuar politikë. Brukseli e Uashingtoni do kërkojnë që peshqit e mëdhenj deri tash “të paprekshëm” të rajonit, të sillen para drejtësisë. Po qe nevoja edhe me ndihmën e agjencive të vendeve perëndimore të specializuara të zbatimit të ligjit. Jo rastësisht, kohët e fundit, ekspertë nga Zyra Federale e Hetimeve (FBI), Shërbimi Informativ Federal i Gjermanisë (BND) ose Guardia di Finanza e Italisë kanë shtuar vizitat e tyre të shpeshta në vendet e Ballkanit.
Brenda shteteve, janë formuar agjenci të rendit dhe zbatimit të ligjit, për të zvogëluar hapësirën e operimeve të mafisë politike dhe për të sfiduar qeverisjen e oligarkive dhe të mafiokracisë, në keqpërdorimin e parasë publike. Mali i Zi krijoi Gjykatën Speciale në vitin 2016, që tani merret me grupin e parë të shtetarëve të nivelit të lartë. Në Maqedoni, e cila kishte pasur një skandal të gjerë përgjimi në 2015, është krijuar zyra e re e Prokurorisë Speciale. Në Shqipëri, “Ligji i vettingut”, i miratuar në vitin 2016, duhet të monitorojë kompetencën dhe integritetin profesional të gjyqtarëve dhe prokurorëve, me një vëmendje të veçantë për pavarësinë e tyre nga krimi i organizuar dhe patronazhi politik. Edhe në Shqipëri dhe në Maqedoni, në vitin 2017, ishin zëvendësuar kryeprokurorët shtetërorë.
Sektori i gjyqësorit mbetet elementi më i brishtë i sistemit të qeverisjes në Ballkan. Në një sondazh të fundit në Maqedoni, rreth 66 për qind e të anketuarve i përshkruan gjykatat dhe gjyqtarët e vendit si të korruptuar.
Mallkimi i korrupsionit
Shtetet e rajonit gjithashtu i nxjerrin mësimet e tyre nga përvoja e kandidatëve të tjerë për anëtarësim në BE. 15 vjet më parë, kërkesa e Sllovakisë për BE u bllokua deri në dorëheqjen e kryeministrit të saj Vladimir Meciar, i implikuar në krimet e sponsorizuara nga shteti. Kroacia, e cila nënshkroi marrëveshjen e asocimit me BE-në që në vitin 2001, iu bashkua Unionit vetëm në 2013-n, pasi ish-kryeministri i saj i korruptuar Sanader u dërgua në gjykatë.
Korrupsioni është burimi gjithnjë në rritje i shqetësimeve të qytetarëve të Ballkanit. Sipas studimit gjithëpërfshirës të perceptimit të barometrit në Ballkan, në të shtatë vendet e Ballkanit (botuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal i financuar nga BE-ja), përqindja e të anketuarve që e përshkruan korrupsionin si një nga problemet kyçe u dyfishua më shumë nga viti 2015 deri në vitin 2017, respektivisht nga 15 në 32 për qind. Vetëm në një vit 2017, Maqedonia ka rënë 17 vende në indeksin e perceptimit të korrupsionit të bërë nga Transparency International, deri në pozitën 107 (nga 180 vende).
Korrupsioni ndikon në ngecjen ekonomik dhe rritjen e borxhit publik në të gjithë rajonin, siç tregojnë të dhënat nga bankat qendrore dhe organizatat ndërkombëtare të monitorimit. Investitorët e huaj gjithashtu nuk shkojnë në vendet e infektuara nga korrupsioni. Sipas renditjes së revistës Forbes “Vendet më të mira për të bërë biznes”, Maqedonia pësoi rënie të papritur nga pozita 31 në 2014, në vendin 63 në 2017.
Nga ana tjetër, mbështetja për integrimin mbetet e lartë në shumicën e shoqërive të shteteve ballkanike: sipas Euobserver, në dhjetor 2017 kjo mbështetje arriti në 90 për qind në Kosovë, 80 për qind në Shqipëri, 54 për qind në Maqedoni, dhe vetëm 26 për qind në Serbi.
Për Ballkanin, korrupsioni gjithashtu ka pasoja të rrezikshme gjeopolitike
Në mungesë të sundimit të ligjit, shtohet rreziku i sigurisë. Rajoni i korruptuar tërheq aktorë joeuroatlantikë, pasi regjimet autoritare në jug dhe në lindje, kërkojnë partnerë të ngjashëm lokalë për veprimet e tyre ekonomike, politike dhe ushtarake. Analistët tashmë kanë paralajmëruar se në vitin 2018 rajoni jugor i NATO-s “(duke përfshirë Ballkanin) do të ishte një nga rajonet potenciale të krizës”.
Mobilizim i ri
Si përgjigje ndaj këtyre kërcënimeve strategjike që mund t’i sjell korrupsioni ballkanik, Perëndimi po përpiqet të mbështesë këtë rajon jugor me përpjekjet diplomatike për të pranuar Republikën e Maqedonisë në NATO (vendi do të duhet të ndryshojë emrin e vet për të hequr Greqinë nga vetoja e saj qe një kohë të gjatë). Ndërkohë, BE-ja po përditëson politikën e saj të zgjerimit për të llogaritur nevojat e veçanta të Ballkanit. Fundja, Procesi i Stabilizim Asociimit (MSA) i BE-së, i nisur dy dekada më parë, (1999) ishte kryesisht një politikë pas konfliktit, dhe jo një strategji e demokratizimit për rajonin.
Supozohet se ky të jetë fundi i epokës kur udhëheqësit e BE-së pasivisht i vëzhguan politikanët e Ballkanit duke zgjeruar praktikat autoritare në vend në emër të ”ruajtjes së stabilitetit rajonal” dhe të lejohen të shantazhohen me bisedime për alternativat strategjike jo-perëndimore për vendet e tyre. Pritet që MSA-ja të zëvendësohet me një : instrument të ri: DAA (demokratizim dhe anëtarësim).
Pritet që sivjet të fillojë “Pranvera antikorruptive” e cila duhet t’i çmontoj “Pesë K” ballkanike: “korrupsionin, kriminalitetin, klientelizmin, kanabizimin dhe kolumbizimin”. Pritet që zyrtarët e lartë shtetërorë të sillen para gjykatave të në Shqipëri dhe Maqedoni, kurse Gjykata Speciale, pritet të ngrit aktakuzat e para.
Mesazhi i Brukselit dhe Uashingtonit ndaj elitave të Ballkanit është i qartë: toleranca për korrupsionin dhe qeverisjen jodemokratike ka përfunduar. Nëse qeveritë në Ballkan vazhdojnë të mos veprojnë kundër korrupsionit dhe krimit, bashkësia ndërkombëtare është gati të krijojë një gjykatë ndërkombëtare për kriminelët korruptiv të rajonit.
Demokracia nuk mund të zërë rrënjë pa zbatimin efektiv të ligjit. Vëzhgimi pasiv i regjimeve mashtruese dhe i krimit të organizuar transnacional, destabilizon zonën strategjike që shpie në rrezik të lartë gjeopolitik për të gjithë Evropën. Liderët perëndimorë duken më të vendosur se kurrë më parë për të parandaluar këtë zhvillim të rrezikshëm.
Dy skenarë
Në skenarin e parë optimist dhe mjaft të mundshëm BE-ja dhe ShBA-ja do të krijojnë një prani të fortë në një nga rajonet më kritike në botë. Uashingtoni dhe Brukseli që edhe më herët kanë koordinuar aktivitetet e tyre, nga viti 2018 mund të hapin një proces vendimtar për Ballkanin Perëndimor.
Në shkurt, Komisioni Evropian miratoi “Perspektivën kredibile për zgjerimin dhe shtimin e angazhimit të BE-së me Ballkanin Perëndimor”, që thekson qartë se BE-ja është gati të pranojë vendet e rajonit, por vetëm ato që i përmbushin kriteret e pranimit. Në maj, Presidenca bullgare do të shtyjë përpara çështjen e pranimit në BE në “Samitin e Ballkanit” në Sofje, duke ringjallur pothuajse të harruar “agjendën e Selanikut” të vitit 2003, që deklaroi qartë se “e ardhmja e Ballkanit është në Bashkimin Evropian”.
Në fillim të qershorit 2018, Këshilli Evropian do të përcaktojë hapa specifikë të pranimit për çdo vend të Ballkanit. Ndërkaq në Samitin e NATO-s, po atë muaj, SHBA-ja do të përpiqet që Maqedonia, më në fund, të bëhet anëtar i aleancës. Gjatë verës, kur në Londër do të mbahet raundi i pestë i “Procesit të Berlinit” (i nisur nga Gjermania më 2014 për të mbrojtur idealet e zgjerimit të BE-së), Britania e Madhe pritet të shprehë mbështetjen e saj të vazhdueshme të fortë për pranimin e Ballkanit: me Brexit apo pa Brexit.
Në këtë skenar optimist Shqipëria dhe Maqedonia do t’i nisin negociatat e pranimit në BE në vitin 2019 – pas dhënies së rezultateve të prekshme të reformave të gjyqësorit dhe të sigurisë: zbatimin e procesit të vettingut në Shqipëri kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar dhe vendimet e para gjyqësore për prokurorët specialë në Maqedoni. Mali i Zi dhe Serbia, të përshkruara shpesh si “dy favoritët” e presidentit të KE, Juncker, pritet të ecin përpara shpejt, kryesisht për shkak të konsideratave gjeopolitike. Shteti i mëparshëm nuk ka lidhje të veçanta me Rusinë, ndërkohë që kjo e fundit pritet të largohet gradualisht nga orientimi i saj historik pro-Moskës. Duke hapur 30 nga 35 kapitujt e pranimit, Mali i Zi do të ecën pa probleme në fazën përfundimtare të bisedimeve. Beogradi, i cili ka arritur t’i mbyllë 12 kapituj, do të përparojë më tej – duke supozuar se në vitin 2018 Serbia do ta heqë nga kushtetuta e saj një frazë që e përshkruan Kosovën siç thotë ajo “pjesë të saj”.
Bosnjë e Hercegovina dhe Kosova nuk do të fitojnë sivjet statusin e kandidatit. I pari, përballet me pengesa të brendshme nga Republika Srpska. Kosova ka çështjen e pazgjidhur të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe ka zemëruar miqtë e saj perëndimorë duke mos lejuar Gjykatën Speciale (të krijuar në vitin 2015 nga Parlamenti i Kosovës me nxitjen e Perëndimit). Këtë vit, Kosova ka mundësi të marrë nga BE-ja vetëm të drejtën udhëtimit pa viza.
Skenari pesimist, më pak i mundshëm, është dështimi i luftës kundër korrupsionit. Nëse kjo përpjekje e fundit për t’i arsyetuar elitat e Ballkanit vjen në pikën zero dhe tradicionalistët përsëri mbizotërojnë në rezistencën ndaj pastrimit të shteteve, NATO-ja dhe BE-ja nuk do t’i ulin standardet për t’i lejuar këto vende në rubikonin Euro-Atlantik.
BE-ja, në veçanti, është e mbushur me regjime populiste, duke përfshirë ato në shtetet e veta anëtare, pasi hapat e saj paraprakë kundër Polonisë dhe Hungarisë për shkak se pretendojnë se shkelin “vlerat e bashkimit” mund të verifikohen. Prandaj, Perëndimi përfundimisht mund ta humbë durimin dhe / ose energjia politike në përpjekjen për të shpëtuar shtetet e papërmbajtura “të kapura” në Ballkan. Të mbetur vetëm, këto shtete ka gjasa të bien në orbitën e fuqive të jashtme, antiperëndimore dhe, në shumë raste, të futen në kaos. Pasojat më të gjera të sigurisë të një skenari të tillë nuk do të ishin të mira.
(Botuar në: “Geopolitical Intelligence Service”)