Sfida e radhës e Bad News Eagles në fund të shkurtit
Ekipi kosovar në CS:GO, Bad New Eagles, e zhvilluan të dielën në mbrëmje finalen e “Central Europe Malta Finals”, ku pësuan nga ekipi nga Turqia, Eternal Fire.
Në këtë garë morën pjesë 8 ekipe, derisa kosovarët u renditën të dytët duke fituar edhe 25,000 dollarë.
Pavarësisht humbjes në finale, Bad News Eagles dhuruan paraqitje të mira gjatë garës, me të cilat është ndarë i kënaqur edhe trajneri i tyre, Jonatan Lundberg i njohur me nofkën “Devilwalk”.
“Nuk mund të jem më i lumtur për djemtë se si u përkushtuan në ndryshime për një kohë kaq të shkurtë. Jam kënaqur për çdo sekond me ta në Maltë. Asgjë tjetër veçse përpara nga këtu. Hajde”, shkruan “Devilwalk” në rrjetin social “Twitter”.
Rigoni, Seneri, Flatroni, Dionisi dhe Genci nuk do të ndalen me kaq këtë muaj, pasi më 28 shkurt kanë ballafaqimin e radhës me ekipin spanjoll Movistar Riders, në garën “Challenger League Season 44 Europe”.