Sfida e shëndetësisë në Kosovë: Centralizimi, keqmenaxhimi dhe pasojat për qytetarët

29 janar 2025 | 18:38

Shkruan: Ali Berisha, kandidat për deputet nga AAK-ja me numër 23

Sistemi shëndetësor në Kosovë, një nga shtyllat themelore të mirëqenies sociale, vazhdon të përballet me sfida të thella strukturore dhe menaxheriale. Qytetarët çdo ditë përballen me vonesa, mungesë shërbimesh dhe cilësi të dobët të kujdesit mjekësor, ndërsa burimet njerëzore dhe financiare shpërdorohen në një sistem të centralizuar dhe të keqmenaxhuar.

Një nga problemet kryesore është centralizimi i tepruar i sistemit shëndetësor, ku Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka kontroll pothuajse absolut mbi politikat, buxhetet dhe burimet njerëzore. Ky model ka lënë spitalet rajonale të dobësuara, të varura nga Prishtina për gjithçka – nga furnizimi me barna e deri te ndarja e specializimeve. Kjo varësi ka sjellë mungesa të mjekëve specialistë në drejtimet kyçe, duke krijuar pabarazi të thella në qasjen e qytetarëve në kujdesin shëndetësor.

Për shembull, pacientët nga qytete si Peja, Gjakova apo Mitrovica shpesh detyrohen të udhëtojnë në Prishtinë për shërbime që teorikisht duhej të ofroheshin në spitalet rajonale. Kjo jo vetëm që shton kostot për qytetarët, por edhe rëndon kapacitetet e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), e cila tashmë përballet me mbingarkesë dhe vonesa të mëdha në ofrimin e shërbimeve.

Një tjetër problem kritik është keqmenaxhimi i burimeve njerëzore dhe financiare. Ndarja e specializimeve, për shembull, shpesh bëhet pa marrë parasysh kërkesat e spitaleve rajonale dhe nevojat reale të popullatës. Në vend të një strategjie të bazuar në nevojat lokale, vendimet shpesh merren në mënyrë të centralizuar dhe të paorganizuar, duke lënë qytetet pa mjekë të profileve kyçe, si kardiologët, anesteziologët, Radiologet apo profile tjera deficitare. Për më tepër, emigrimi i mjekëve drejt vendeve të BE-së, i nxitur nga pagat e ulëta dhe kushtet e vështira të punës, vetëm sa e thellon krizën.

Nëse shtojmë këtu mungesën e sigurimit shëndetësor dhe barrën financiare që bie mbi pacientët, bëhet e qartë se sistemi aktual është i paaftë të përmbushë nevojat bazike të qytetarëve. Ndërkohë që shumë qytetarë paguajnë nga xhepi për ekzaminime dhe trajtime në sektorin privat, institucione publike të shëndetësisë vuajnë nga mungesa e fondeve dhe pajisjeve të duhura.

Zgjidhjet që duhet të marrim sot

Sistemi shëndetësor në Kosovë ka nevojë për reforma të thella dhe të mirëorganizuara, duke nisur nga:
1. Decentralizimi i sistemit shëndetësor: Spitalet rajonale duhet të kenë më shumë autonomi në menaxhimin e burimeve të tyre njerëzore dhe financiare. Vendimmarrja duhet të kalojë nga qendra drejt rajoneve, duke i dhënë mundësi spitaleve të reagojnë ndaj nevojave specifike të qytetarëve.
2. Planifikimi strategjik i burimeve njerëzore: Ndarja e specializimeve duhet të bëhet në bazë të analizave konkrete të nevojave të spitaleve rajonale dhe për të siguruar një shpërndarje të drejtë të specialistëve. Po ashtu, duhet të ofrohen stimuj financiarë dhe kushte më të mira për mjekët që punojnë në rajone të largëta.
3. Futja e sigurimit shëndetësor: Zbatimi i plotë i ligjit për sigurimin shëndetësor është thelbësor për të lehtësuar barrën financiare të qytetarëve dhe për të siguruar një sistem më të qëndrueshëm financiar për shëndetësinë publike.
4. Lufta kundër korrupsionit dhe keqmenaxhimit: Tenderët e dyshimtë dhe shpërdorimi i fondeve duhet të adresohen përmes auditimeve të rregullta dhe transparencës së plotë. Çdo euro që harxhohet gabimisht është një humbje për qytetarët dhe për shëndetin e tyre.
5. Investime në infrastrukturë dhe pajisje mjekësore: Për të rritur cilësinë e shërbimeve, duhet të investohet në modernizimin e spitaleve dhe furnizimin e tyre me pajisje të nevojshme.

Apeli im për qytetarët dhe institucionet

E ardhmja e shëndetësisë nuk mund të ndërtohet mbi një sistem të centralizuar dhe të mbingarkuar, që nuk reflekton nevojat e qytetarëve. Është koha që të gjithë, nga qytetarët deri te vendimmarrësit, të kërkojmë një qasje të re, më transparente dhe më gjithëpërfshirëse për reformimin e shëndetësisë në Kosovë.

Kosova meriton një sistem shëndetësor që i shërben qytetarëve në çdo pjesë të vendit – jo vetëm në kryeqytet. Mbetet detyra jonë, si profesionistë dhe si qytetarë, të luftojmë për këtë ndryshim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me ngrirjen e fondeve amerikane, Gjykata Speciale mund të përballet…