Sfida e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut
Bedri Islami
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut ndodhen para një sfide të re, ndoshta nga më të rëndësishmet e viteve të fundit: ata do të vendosin se kush do të jetë presidenti i ri i këtij vendi, por, jo vetëm kaq, përmes verdiktit të tyre do të përcaktohet në një shkallë të madhe edhe e ardhsmja e këtij shteti, përmes dy rrugëve, njerës, pro perëndimore, europiane dhe progresive, dhe, tjetrës, rikthimit nën petkun e një nacionalizmi të sëmurë, kthimit në pushtetin presidencial të të përfaqsimit të një klase politike të zvetnuar, thellë të korruptuar, që, në vitet e pushtetit të tyre të zgjatur, bënë pak ose aspak për shqiptarët.
Koha e vendosjes është tani dhe jam i bindur se shqiptarët do të bëjnë zgjedhjen e duhur, të vetmen të drejtë dhe në prirjen e tyre drejt shtetit multietnik, ku vetë ata do të jenë element shtetformues, jo vetëm në letër, por në të gjithë spektrin e tyre.
Pse është sfida e tyre më e rëndësishme e kësaj kohe dhe çfarë pritet?
Raundi i parë i zgjedhjeve politike në Maqedoninë e Veriut për presidentin e ri dëshmoi shumë gjëra dhe mbi të gjitha se, duan apo nuk duan maqedonasit, gjithçka rreth tyre, që nga qeverisja dhe deri tek presidenti, varen pikërisht nga forca e shqiptarëve dhe përcaktimi i tyre. Atë që do të përkrahin shqiptarët, ai do të jetë në qeveri, ai do të jetë forcë e parë parlamentare, ai do të ketë të drejtën e zyrës presidenciale. Llogaritë tani janë të thjeshta, të hapura dhe të lexueshme. Nëse më parë, e gjithë mund të ishte një lojë skenike, ku luhej me votën shqiptare, tani miti i rremë ka rënë, e vërteta është sheshit dhe e dukshme. E gjithë kjo e ka një fillesë dhe, sado që mund të ketë përpjekje për harrim, çdo gjë lidhet me Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare dhe më pas me forcën politike përfaqësuese të saj, BDI dhe liderin e saj, Ali Ahmeti.
Në garën presidenciale ishte edhe një emër i njohur: Blerim Reka, i cili solli një risi në paraqitjen publike të shqiptarëve.
Blerim Reka është një politikan i spikatur, të cilin, të gjithë udhëheqësit shqiptarë, edhe në Kosovë, kanë dashur që të jetë në stafin e tyre, jo si një nga këshilltarët e zakonshëm, por si rregullatori i mendimit politik. Është njeri i lexuar, i qetë, me prirje drejt kombëtares, i saktë në mendimin e tij dhe i besuar. Kjo solli që të ketë besueshmëri shumë të lartë, shumë më të lartë se sa forcat politike që e mbështetën, njëra nga të cilat është me prirje erdoganiste dhe religjioze, ndërsa tjetra, në këtë moment, lidhet pas një emri.
Pjesëmarrja e ulët e shqiptarëve në votimet e para lidhet pikërisht me dualitetin e krijuar rreth emrit të Blerim rekës, nga njëra anë, dhe një propogande frenetike që u bë forcave të tjera, të cilat nxituan të cilësojnë si tradhtues të kauzës gjithësecilin që do të votonte për një figurë politike joshqiptare.
Mes dyzimit për politikanin shqiptar dhe forcës politike që i besojnë, BDI-së, ata zgjodhën bojkotin dhe heshtjen.
Por, edhe sikur gjithë votat shqiptare të ishin tek i njëjti njeri, ai do të dëshmonte kaq sa është dëshmuar: kush vendos, por nuk do të mund të ishte përcaktues. Mes realizimit politik dhe entuziasmit politik, mveshur me një nacionalizëm diletant, ka gjithnjë një ndarje dhe një pamundësi.
Në politikë duhet ditur se në cilin moment duhet përdorur “lopata” dhe se kur duhet vënë në përdorim “shata”, pra, kur duhet të japësh dhe kur duhet të marrësh.
Shqiptarët janë pjesë e qeverisë së shtetit maqedon, jo në institucioane të dorës së dytë, por në disa raste, në vendosëse. Sidoqoftë, edhe më herët, pas vitit 2001, duke patur këtë të drejtë, ata nuk kanë ecur më tej, pasi, e gjithë rryma nacionaliste e Gruevskit, manipulimet dhe pushteti, ku shpesh herë ai do të mund të ndërtonte një qeveri fillikat, kanë ngushtuar mbijetesën politike shqiptare, por nuk e kanë hedhur tej.
Ndërtimi i një bashkëpunimi të ri politik mes Zajevit dhe Ahmetit, jo vetëm në pushtet, por edhe në institucione, solli që, për herë të parë, në Maqedoninë e Veriut, njëri ndër tre institucionet më të rëndësishme, Kuvendi i tij, të drejtohet nga një politikan shqiptar, figurë e njohur atdhetare dhe përfaqsues i aspiratave të lëvizjes çlirimtare. Kjo nuk kishte ndodhur më parë dhe, duhet pranuar se ndërtimi i një skeme politike duhet bërë gjithnjë mbi bazën e mundësisë dhe jo të dëshirës.
Nëse zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut do të jetë dhe është një politikan shqiptar, dhe kjo ishte shata që mblodhi rreth vetes një post drejtues të dorës së parë, për shqiptarët është koha që, mes dy rrugëve, të zgjedhin njerën prej tyre, sado e dhëmbshme të jetë dhe sado që dikujt mund t’i duket antikombëtare.
Shqiptarët nuk kanë rrugë tjetër, duhet të përcaktohen për njërin prej tyre: ose të kthehen tek rruga e vjetër e konflikteve dhe përplasjeve nacionaliste, jo vetëm mes tyre dhe një pjese të çartur të nacionalistëve maqedonas, pasues të politikës së Gruevskit, por edhe të mendimit liberal përëndimor me medimin sllav të politikës ruse, ose të ndjekin njëaspiratë perëndimore europiane.
Dyzimi nuk ka të bëjë me nacionalizimin apo antinacionalizmin. Nëse duhet pranuar se në fazën e një stadi politik, shqiptarët përdorën “shatin” politik, tani ka ardhur koha, dita, çasti që të përdorin “lopatën” e plitikës së tyre: të përcaktohen, duke falur nga vetja.
Të dy partitë politike maqedonase në këto ditë përbëtohen për shqiptarët, për loajilitetin ndaj tyre, do të premtojnë gjithnjë e më shumë, megjithëse gjuhën shpesh herë do e mbajnë brenda dhëmbëve nga dhimbja se kanë mbetur në duart e shqiptarëve.
Është traditë e tyre premtimi para betejës politike dhe injorimi pas saj. Por kësaj here rregullat e lojës kanë ndryshuar. Shumë gjëra kanë ndryshuar.
Qeveria e tashme, megjithëse nuk është ashtu si do të kishin dashur, është më liberale dhe më shpesëdhënëse, më e afërt me shqiptarët dhe më e hapur.
Nga ana tjetër, nacionalistët e Gruevskit, si hije e mendim politik i tij, kanë patur shumë vite kohë për të ndrequr mardhëniet me shqiptarët, por në të kundërtën ngritën nga vetja dhe krijuan aksionin e përgjakshëm të Kumanovës, sajuan gjyqe të egra kundër shqiptarëve, ngritën kultet nacionaliste të etnisë së tyre, dhe, edhe tani, janë shprehur haptas kundër disa ligjeve themeltare, si zyrtarizimi i gjuhës shqipe, i cili nuk u nënshkrua nga presidenti i deritashëm, pikërisht përfaqsues i partisë së tyre dhe nuk ka asnjë premtim konkret nëse do të nënshkruhet një ditë nëse vazhdon e njëta parti në zyrën presidenciale. Ata u përpoqën të bëjnë një grushtshteti institucional, duke synuar të zaptojnë parlamentin, duke dënuar kryetarin e saj shqiptar, duke gjakosur depuetë, përmes huliganësh që edhe sot janë pasvijë e politikës së tyre.
Nga do të shkojë Maqedonia – këtë do e vendosin shqiptarët.
Jam i bindur se edhe më tej, pavarësisht dyzimit fillestar, ata do të jenë në kahun e progresit dhe jo të kthimit pas; do të jenë për mendimin europian dhe jo vazhdim i mendësisë sllave.
Koha ka ardhur. Nëse mësimi i parë është dhënë, pikërisht ai që në këtë shtet vendosin tashmë shqiptarët, është koha e mësimit të dytë, që shqiptarët kanë vendosur të jenë pjesë e Europës dhe jo pjesë e ndryshkut neocarist rus.