Sfidat e Klinikës së Onkologjisë, furnizimi me barna dhe blerja e pajisjeve të reja

13 tetor 2022 | 13:52

Ushtruesja e detyrës së drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Pranvera Zejnullahu- Raçi, bashkë me menaxhmentin e Klinikës së Onkologjisë, pritën në takim anëtarët e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, gjersa po shënohet “Tetori rozë”, muaji i ndërgjegjësimit për luftën kundër kancerit të gjirit.

Zejnullahu-Raçi i falënderoi deputetët për vizitën, para të cilëve shpalosi punët në muajt e fundit, për të përmirësuar cilësinë e ofrimit të shërbimeve shëndetësore për pacientët e prekur me tumor, përfshirë këtu edhe pacientët e sëmurë me kancer të gjirit.

Por, listoi edhe sfidat e Klinikës së Onkologjisë, mes tyre furnizimi me barna, blerja e pajisjeve të reja dhe përmirësimi i kushteve infrastrukturore, që, për t’u zgjidhur, kërkojnë mbështetje të fortë institucionale.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës falënderuan stafin e Onkologjisë për punën e jashtëzakonshme, ndërkaq, ofruan mbështetje maksimale dhe njëzëri u zotuan se të gjitha çështjet do të trajtohen me prioritet në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi, me synim që ato të përfshihen në buxhetin e vitit të ardhshëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka falënderuar kryeministrin…