Sfidat e menaxhimit të një biznesi

01 tetor 2020 | 09:07

Driton S. Bejtullahu

Mundësitë që ju shfaqen bizneseve gjatë zhvillimit të tyre, shpeshherë e ndryshojnë drejtimin për në cakun tek i cili ato vërtetë dëshirojnë të shkojnë. Por, para së gjithash, ato duhet ta kenë një strategji që bazohet në qëllimin kryesor të ekzistencës së tyre në treg dhe në një vizion për të ardhmen. Gjithashtu, duhet ta kenë një sistem të duhur menaxhues që mundëson avancimin e vazhdueshëm të tyre.

Rritja e biznesit është proces i natyrshëm, që kërkon edhe rritje të kapaciteteve njerëzore. Rekrutimi i stafit për të mbështetur ngritjen e kapaciteteve të kompanisë, nuk është përgjegjësia e vetme e menaxhmentit. Është i domosdoshëm edhe krijimi i ekipeve dhe i një ambienti ku punonjësit kanë besim te njëri-tjetri. Sepse, nuk mjafton veç krijimi i një biznesi profitabil nëse nuk promovohet kultura konstruktive brenda organizatës – si një mjet i domosdoshëm për të ecur para.

Nga dëshira për të avancuar shpejt, organizatat nxiten të rekrutojnë staf me eksperiencë, apo staf të ri “me vizion modern”, por nuk e konsiderojnë si faktor me rëndësi kulturën që këta “ekspertë” e sjellin me vete. Nëse mendoni që kjo nuk ka shumë rëndësi, atëherë urime! Ju sapo e keni futur “Kalin e Trojës” brenda organizatës tuaj.

Pse e them këtë?

Gjatë karrierës time, jo rrallëherë më ka rastisur që njerëzit jokompetentë të vendosen në pozita të larta menaxheriale. Dhe, kur atyre u jepet rasti, nga lakmia e pushtetit shkelin gjithçka që u del para.

Mungesa e sistemit të mirë menaxhues në një kompani, ua mundëson këtyre “menaxherëve” që të shkaktojnë dëme të konsiderueshme në organizate. Duke e krijuar një ambient toksik me sjelljet e tyre përçarëse, kanë ndodhur dorëheqjet e shumë kuadrove. Sepse, nuk mund ta duronin sundimin nga një diletant, ndërkohë që organizatat nuk e kishin një mjet analize – siç është ajo 360 shkallëshe që e vlerëson punën e ekipit në të gjitha nivelet e përgjegjësive.

Nuk duhen vitet për të njohur stafin që nuk performon mirë e që, mbi të gjitha, e përçan strukturën. Sepse, procesi i rekrutimit të punëtorëve po bëhet me klishe. Një CV e mirë apo një orator në interviste, të shumtën e herëve është fituesi fatlum. Apo, “një i dërguar nga lartë” që “rastisë” të jetë familjar i dikujt nga menaxhmentit apo nga pushteti politik.

Misioni i organizatave zbatohet si duhet duke u angazhuar i gjithë stafi, si ekip. E, ekipet përbëhen nga një grup njerëzish që besojnë tek njëri-tjetri dhe që kanë të njëjtin qëllim: përparimin. Ndaj, për t’ju kursyer nga gabimet e tilla, ju rekomandoj që ta implementoni një sistem menaxhues i cili u ndihmon në menaxhim e organizatës tuaj. Nëse bazohemi te sistemet menaxhuese të bazuara në standardet ISO, zgjidhjen mund ta përshkruaj me tri fjalë: Kontroll, Matje dhe Vlerësim. Për të qenë më konkret, po i shtroj këto dy pyetje si në vazhdim: Si mund të matni diçka që nuk e keni në kontroll? Dhe, si mund të vlerësoni diçka për të cilën nuk i keni bërë matjet?

Si masë preventive për zbatim të suksesshëm të proceseve të punës në një organizatë, duhet krijuar politikat dhe procedurat të cilat ndiqen nga i gjithë stafi. Pastaj vjen definimi i roleve dhe i përgjegjësive, si faktorë që eliminojnë paqartësitë mes individëve dhe që mund të ndikojnë në rritje të performancës. Kjo u jep mundësi të barabarta punonjësve dhe e garanton një sistem të meritokracisë.

Pas zbatimit të këtyre hapave nga menaxhmenti, duhet të caktohen Indikatorët e Performancës (KPI) si masë kontrolluese për secilin individ, projekt apo synim. Varësisht nga madhësia e organizatës, preferohet që të definohen procedurat e Vlerësimit të Performancës, që realizohen në intervale të caktuar kohore duke u referuar në KPI. Vlerësimin e Performancës së stafit duhet zbatuar në të gjitha nivelet e organizatës. Gjithashtu, duhet të krijohen Komisionet Mbikëqyrëse të projekteve dhe të performancës. Natyra e bizneseve mund të përcaktojë edhe borde të tjera mbikëqyrëse, varësisht nga fushëveprimi i organizatës.

Dhe, për fund, Takimi Rishikues i Menaxhmentit – për progresin e organizatës dhe për mbikëqyrjen e objektivave të saj – është masa vlerësuese që duhet ta zbatojë çdo organizatë. Raportet e dala nga ky aktivitet duhet të bazohen në orientimin e organizatës, tek rolet dhe përgjegjësitë, koordinimi dhe kontrolli, lidershipi, inovacioni, kapacitetet e organizatës, motivimi dhe ambienti i punës. Por, të mos e harrojmë pjesën më të rëndësishme në këtë proces: dokumentimin. Sepse, vendimmarrja në bazë të fakteve minimizon mundësitë e gabimeve.

 

(Autori është themelues/CEO i kompanisë “Be Consulted”)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtari i Kryesisë i Lëvizjes Vetëvendosje (LV-së), Glauk Konjufca, ka…