Sfidat e ndërmjetësimit në Kosovë
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, të premten, ka mbajtur një tryezë virtuale në të cilën është prezantuar raporti “Sfidat e ndërmjetësimit në Kosovë”.
Hulumtuesja e IKD-së, Gzime Hashani, ka deklaruar se përkundër që Kosova ka ndërtuar infrastrukturë të avancuar ligjore sa i përket kësaj fushe, sistemi gjyqësor dhe prokurorial ende nuk e shfrytëzojnë sa duhet këtë mënyrë të zgjidhjes së lëndëve.
Ajo ka thënë se duke vepruar në këtë mënyrë, sistemi i drejtësisë përpos që cenon të drejtat e palëve, gjykatësit dhe prokurorët ngarkojnë veten me lëndë të cilat potencialisht mund të zgjidhen në procedurë të ndërmjetësimit.
Hashani ka thënë se IKD-ja ka gjetur se në vitin 2017 dhe 2018 nga ana e gjykatës shumë pak raste janë referuar në ndërmjetësim, derisa ka një ngritje të theksuar në vitin 2019 dhe një regres në vitin 2020.
Tutje, sipas Hashanit, gjatë vitit 2017 të gjitha prokuroritë e Kosovës kanë referuar në ndërmjetësim gjithsej 682 raste, derisa në vitin 2018 ky numër është ngritur në 904.
Ajo ka thënë se ky numër ishte rritur dukshëm në vitin 2019, kur prokuroritë kishin referuar në ndërmjetësim gjithsej 2 034 lëndë, ndërkaq gjatë vitit 2020, kur edhe puna e Prokurorit të Shtetit është influencuar nga gjendja e krijuar me pandeminë Covid-19, Prokurori i Shtetit ka referuar në ndërmjetësim gjithsej 1 608 lëndë.
Hashani ka pohuar se konform kërkesave të Ligji Nr. 06/L-009 për Ndërmjetësim, është themeluar edhe Oda e Ndërmjetësuesve me miratimin e statutin më 2 nëntor 2019 nga Kuvendi i Përgjithshëm i Odës së Ndërmjetësuesve.
Mirëpo sipas saj, kjo Odë kishte funksionuar në mënyrë të kundërligjshme, për faktin se krahas miratimit të statutit nga ana e Kuvendit të Përgjithshëm, Ligji kërkon edhe aprovimin nga ana e Ministrisë së Drejtësisë.
Ajo ka thënë se statuti i miratuar nga Kuvendi i Përgjithshëm i Odës së Ndërmjetësuesve në këtë rast, nuk është aprovuar nga Ministria e Drejtësisë deri më 21 shtator 2020.
Duke vepruar në këtë mënyrë, sipas Hashanit, IKD-ja ka gjetur se Oda e Ndërmjetësuesve e cila vepron në pajtim me ligjin dhe statutin e saj, në këtë rast ka vepruar pa bazë ligjore, pasi statuti i saj nuk ka qenë i aprovuar nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, rrjedhimisht nuk ka qenë në fuqi.
Sipas Hashanit, IKD-ja ka gjetur se ka mungesë të të dhënave lidhur me aspektin profesional të ndërmjetësve të licencuar dhe nevojë për ngritjen e vetëdijes qytetare për zbatimin e procedurës së ndërmjetësimit.
Hulumtuesja e IKD-së, Hajrije Krasniqi, ka thënë se në kuptim të përmbushjes së obligimeve që rrjedhin nga Ligji i ri për Ndërmjetësimin, KPK dhe KGJK kanë miratuar rregulloret për referimin e lëndëve në ndërmjetësim.
Krasniqi ka theksuar se përkundër faktit se për ndërmjetësimin e detyrueshëm ekziston një dispozitë e qartë, e cila obligon gjyqtarët që këto raste t’i procedojnë në procedurë të ndërmjetësimit, IKD-ja gjen se kjo fushë e ndërmjetësimit në Kosovë nuk ka gjetur zbatimin e kërkuar.
/Faton DËRMAKU/