Sfidë për ATK-në mbetet zbatimi i strategjisë së rrezikut institucional
Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Sakip Imeri, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se për këtë institucion sfida për vitin 2019 mbeten zbatimi i strategjisë së rrezikut institucional si dhe përmirësimi i kapacitetit për modernizim.
“Sfida mbeten zbatimi i strategjisë së rrezikut institucional si dhe përmirësimi i kapacitetit për modernizim”, ka bërë me dije Imeri. Ai ka folur edhe për planet e ATK-së për këtë vit. “Planet për vitin 2019 janë: implementimi i strategjisë së ATK-së 2015-2020, përmbushja e objektivave të parapara me planin vjetor të punës, përmbushja e objektivave në kuadër të MSA-së, zbatimi i strategjisë për parandalimin dhe luftën kundër ekonomisë joformale, modernizimi i ATK-së përmes zëvendësimit të sistemit të teknologjisë informative, lansimi i faturës elektronike të TVSh-së (E-Invoicing), ngritja e kapaciteteve në fushën e menaxhimit të riskut si dhe zbatimi i reformës 2019-2021 për modernizimin e ATK-së”, është shprehur Imeri.
Ndërkaq sa i përket vitit që lamë pas, Imeri ka deklaruar se institucioni të cilin ai e udhëheq ka tejkaluar të hyrat për më shumë se 10 milionë euro.
“Administrata Tatimore e Kosovës gjatë vitit 2018 ka tejkaluar të hyrat e planifikuara me shumë se 10 milionë euro. Nga 446 milionë euro janë mbledhur 456 milionë euro që në raport me vitin 2017 janë për 41,6 milionë euro më shumë. Po ashtu, gjatë kësaj periudhe janë arkëtuar mbi 150 milionë euro të hyra nga Kontributet Pensionale për Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK). ATK-ja vazhdimisht është duke zhvilluar aktivitete për ta ngritur nivelin e përmbushjes së obligimeve tatimore, përfshirë transparencën në shërbimet ndaj tatimpagueseve, të cilët do ta kenë më të lehtë informimin dhe kryerjen e obligimeve në mënyrë vullnetare”, ka thënë Imeri.
Po në këtë bisedë ka folur edhe për aktivitetet të cilat e kanë karakterizuar ATK-në gjatë vitit 2018.
“Viti 2018 për ATK-në ka qenë i mbushur me aktivitete në të gjitha fushat ku ka përgjegjësi ligjore në administrimin e tatimeve, ngritje dhe avancim të përmbushjes vullnetare të tatimeve, shërbime profesionale, transparente dhe efektive, zhvillim të aplikacioneve për menaxhimin e proceseve tatimore, avancim të analizës së riskut për përzgjedhjen e rasteve për kontroll të tatimpaguesve, ngritje të efikasitetit [ër trajtimin e kërkesave për rimbursimin e tatimeve, strukturim të tatimpaguesve sipas fuqisë ekonomike që zotërojnë, sistemim të zyrtarëve tatimorë në funksion të ngritjes së kompetencës profesionale dhe përgjegjësisë në punë, komunikim të shtuar me tatimpagues dhe bashkëpunim i shtuar ndërinstitucional në luftimin e dukurive negative dhe ekonomisë joformale, me policinë, doganën, prokurorinë, Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve TI (ARBK), komunat etj”, ka thënë Imeri, i cili ka folur edhe për bashkëpunimin e ATK-së me donatorët ndërkombëtarë dhe kontributin e tyre në fushën tatimore.
“Gjithashtu, kemi pasur mbështetje të fuqishme nga donatorët, FMN, GIZ, KE, USAID, BB, Ambasada Britanike etj. Me përkrahjen e tyre janë realizuar studime dhe raporte që e ndihmojnë ATK-në në zhvillimin e saj: FMN ka realizuar disa misione të shoqëruara me raporte specifike për proceset tatimore, është realizuar TADAT një vlerësim diagnostikues për nënte fusha specifike të vlerësuara sipas praktikave më të mira ndërkombëtare dhe raporte të tjera për modernizimin e mëtutjeshëm të funksioneve të ATK-së”, u shpreh Imeri.
Ai ka përmendur edhe kontributin e donatorëve për zhvillimin e sistemimit tatimor në Kosovë.
“GIZ-i ofron mbështetje për zhvillimin e funksionit ZgjoNA, kontrollet tatimore elektronike, është realizuar anketa për kënaqshmërinë e TP dhe në bashkëpunim me Bankën Botërore është realizuar projekti i ngritjes së përmbushjes tatimore përmes qasjes bihevioriste, një projekt unik i realizuar për herë të parë në vendet e Evropës juglindore dhe më gjerë. USAID-i ka mbështetur zhvillimin e procesit të rimburësimit tatimor përmes menaxhimit elektronik dhe të indikatorëve ‘Pagesa e tatimeve’ përmes të cilave bëhet edhe vlerësimi në raportin e BB ‘Doing business’, në të cilin Kosova radhitet në pozitën e 44-t në mesin e 192 vendeve në botë”, ka deklaruar Imeri.
Ai ka shtuar se me Ambasadën e Britanisë së madhe dhe GIZ-in kanë nënshkruar një marrëveshje për mbështetjen e ATK-së për fuqizimin e kapaciteteve profesionale për raportim financiar dhe tatimor si dhe për ngritjen e transparencës përmes medieve të aktiviteteve operative të ATK-së. “Gjithashtu, janë realizuar aktivitete në bashkëpunim me administratat tatimore rajonale dhe kemi qenë pjesëmarrës në konferenca ndërkombëtare në të cilat ka vlerësime pozitive për zhvillimin e ATK-së”, ka deklaruar Sakip Imeri, drejtor i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës.
(Albulena S. MAVRAJ /Epoka e re)