Sfidë për Listën Serbe, Jabllanoviç kandidon për kryetar të Leposaviqit
Partia e Aleksandar Jabllanoviç ka konfirmuar për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe se do të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Komunën e Leposaviqit.
Jabllanoviç do të jetë edhe kandidat i Partisë së Serbëve të Kosovës për kryetar të Leposaviqit në zgjedhjet e 18 dhjetorit.
“Nuk kemi marrë asnjë informacion zyrtar nga Qeveria e Serbisë dhe [e ashtuquajtura] Zyra për Kosovë, prandaj serbët nuk duhet të kandidojnë për poste dhe nëse Serbia është tërhequr nga Marrëveshja e Brukselit, pra nga pjesa që ka të bëjë me pjesëmarrjen në Zgjedhjet e dyta, vendimi i Listës Serbe që të mos kandidojë dhe të largohet nga institucionet është ekskluzivisht vendim politik i një partie, e cila është opsioni ynë politikisht i kundërt dhe ne nuk mund ta respektojmë vendimin e tyre dhe as ata nuk mund të vendosin në emrin tonë. Prisnim një sinjal nga Beogradi, por nuk kishte. E treta e rëndësishme është që nuk duam t’i lejojmë shqiptarët të marrin pushtetin në Leposaviq, ku ne kemi këmbën më të fortë“, tha Jabllanoviç.
Jabllanoviç pret që edhe Lista Srpska, e cila më parë ka shpallur bojkot, do të marrë pjesë në zgjedhje.
“Burimet e tona thonë se Lista Srpska do të marrë pjesë dhe për këtë arsye afati i aplikimit është shtyrë sot”, tha Jablanoviq.
Në seancën e mbajtur të hënën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë “vendim për plotësimin dhe ndryshimin e Vendimit për caktimin e afateve për aktivitete zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të komunave: Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan”.
“Me vendim të KQZ-së, afati i aplikimit për konfirmimin e subjekteve politike dhe kandidatëve, i cili pritej të përfundonte në datën 21 nëntor, u shty për në datën 25 nëntor 2022”, thuhet në njoftim.
Për rrjedhojë, afati i vendimit të KQZ-së për konfirmimin ose jo të subjekteve politike dhe kandidatëve u shty nga data 26 nëntor në 28 nëntor.