Sfondi narrativ i romaneve “I huaji, ai Kosovari” dhe “Një natë tek Luiza” – Arbër Ahmetaj
Dr. Zejnepe ALILI REXHEPI
Vetëdija historike e shkrimtarit
Arbër Ahmetaj është shkrimtar bashkëkohor që veprën e tij e mbështet në këndvështrime të vetëdijes historike. Realiteti social, historik, politik e moral i paraprin idesë së tij, të mbështetur në mbamendjen vetanake dhe shtrirjen kolektive të ngjarjeve. Sjell trajta e situata rrëfimore me përmbajtje kombëtare me kronologji ngjarjesh, gjithmonë nga “perspektiva” e narratorit.
Shkrimtari, në shtjellimin e boshtit tematik, përmes dy romaneve të tij (që pata rastin t’i lexoj këto ditë, shkas i përurimit të veprës letrare të autorit, në Librarinë e Çarshisë – Shkup) ngre kuadrate logjike, përmes të cilave i realizon pritshmëritë e lexuesit, përtej kënaqësisë së leximit të lirë. Ngjarjet, në veprat e Ahmetajt, ngrihen mbi norma filozofike me sensin e zbërthimit të kodeve jetësore, rrjedhave të kohës, gjendjes sociale, nëpër të cilat parakalon, jo veç individi, por e tërë shoqëria shqiptare.
I ballafaquar me situata të tendosura, njeriu (kryeheroi) as krijuesi (autori) nuk resht së përshkuari këto linja të vështira mbi të cilat është i paracaktuar të endet fati i individit. Në këto rrëfime, Atdheu është sinonim ngrehinash të pa rrënuara, edhe kur varret i radhit dhe stinët i mbledh po nga kujtimet e dhembjet…
Nën optikën analitike, kësaj radhe, vihen dy romane të shkrimtarit Ahmetaj: “I huaji, ai Kosovari” dhe “Një natë tek Luiza”. Për më tepër, gjejmë prurje, të realizuara përmes përshkrim-ngjarjesh në linja përpjekjesh ku të udhëheq ëndrra.
E pathëna e veprës
Procedimi rrëfimor i ngjarjeve dhe përjetimeve, i mbështjellë me tisin emocional të shkrimtarit, është një pergamenë historishë dhe ndjenjash që shpërndajnë dhembje për të shkuarën dhe mall për të ardhmen. Ngjashëm si shikimi i vdekjes mbi kohën e ikur, shqetësimi dhe vuajtja për dramat historike, nënkuptohet, mbetet si brengë për të ardhmen.
Romani i parë “I huaji, ai Kosovari”, si dhe i dyti “Një natë tek Luiza”, vijnë në formë memoaresh, përvojash dhe modelesh të tjera të mbamendjes së individit, gjegjësisht autorit, si dhe mbamendjes kolektive, që nuk arrin ta zhbëjë koha, as me kalimin e rëndë të viteve.
Të shkruash në 2013 romanin “I huaji, ai Kosovari” dhe në 2015 “Një natë tek Luiza”, sigurisht nënkupton të mos ndodhesh vazhdimisht përballë trysnisë së aktualitetit, por ngjarjet, në formë kujtimesh të përshkruhen me qetësi e përvojë rrëfimore, përderisa ato, në pjesën më të madhe të tekstit përshkruajnë ngjarje kohësh të trazuara të nënqiellit shqiptar, si vitet e 80-ta, 90-ta e më pas, deri midis tri linjash paralele ngjarjesh: Shqipëri – Kosovë – Mërgatë.
Në romanin “I huaji, ai Kosovari” shkrimtari flet për kohë tjetërsimesh brenda kombëtare, një tëhuajësim deri në armiqësi e moskomunikim total, pas viteve 80-ta, midis dy vendeve Shqipëri – Kosovë, të parit, nën paktin e bashkëveprimit kinez, ndërsa të dytit, nën “bashkim-vëllazërimin” jugosllav. Pra, është një roman me përmbajte historiografike, bazuar në kujtime dhe argumente.
Përmbajtja e këtij romani sjell përshkrime fragmentare, sipas njohjeve, përjetimeve apo leximeve të shkrimtarit, të cilat përvijojnë në plotëni jetën e shqiptarit, matanë dhe këndej kufirit, me mjaft vështirësi, katrahura që të ngjallin neveri e të lënë shije groteske.
Shkrimtari tregohet mjeshtër rrëfimi, me përvojën e autorit të disa veprave artistike. Për ironi, rrëfimin në “I huaji, ai Kosovari” e fillon me arritjen e kryeprotagonistit në qytetin pa kishë. I habitur me faktin se ku e kishte dërguar fati apo rrjedha e jetës, shprehet: “Qyteti ynë nuk ka kishë, kjo nuk është ndonjë hata e madhe, pasi pothuajse shumica e qytetarëve janë myslimanë. As xhami nuk ka, sinagogë jo se jo! Hafizja e çmendur është myslimane”. Pra, kishë nuk ka, por “qyteza e rrënuar e ilirëve, po. Mbase, nostalgjia për këtë vend, e ka shtyrë autorin që rrëfimin e parë ta titullojë “Vendi i shenjtë”.
Liria mbetet vetëm si refleksion artistik. Modelin më të mirë për këtë e jep Hafizeja e çmendur. Në fakt, kur Kosova është e ndaluar të përmendet, askush nuk guxon ta bëjë këtë, përpos Hafizes së çmendur, e cila këndon edhe këngë për të, po asaj nuk ia var kush veshin, edhe kur bërtiste nëpër rrugët e qytetit: “Jetën e japim, Kosovën nuk e japim”. Atë nuk e vënë re, sepse ajo edhe tek varrezat falet e lutet herë si kristiane, e herë si muhamedane, gjersa në fund reciton citate të Mao Ce Dunit. Mjerimi i këtij personazhi, e përshkruan konfuzitetin fetar dhe tiraninë për admirim të rrejshëm, gjatë bashkëveprimit shqiptaro-kinez që më vonë rezultoi humbje kohe, grotesk në këndvështrimin e sotëm, por që padyshim pas vetes la gjurmë të thella tek një shtet i vogël, si Shqipëria.
Kraeprotagonisti është Kosovari (natyrisht, banorët do ta quajnë “I huaji” dhe rreth ardhjes së tij fillojnë të thurin legjenda, ndonëse në vitin 1989, ai do të vinte si student në Tiranë. E panjohura për të, këdo e vendos në dilema të shumta.
Qëndrimi i tij shpejt do të bëhet i shpjegueshëm, kur ai fillimisht e refuzoi vizitën për në Muzeun e postës së kufirit, i tëri i mbushur me fotografi vrasjesh në përpjekje të kalimit të kufirit. Aty gjendeshin edhe vargje të shkruara për ushtarët e kufirit, madje dhe qenin e kufirit, që kishin rënë heroikisht duke e mbrojtur vendin nga ikësit. Asgjë për t’u habitur…, kështu e donte zakoni! Atë çast, I huaji-Kosovari, në librin e përshtypjeve shkroi shkurt: “Lavdi atyre që e duan atdheun, e për atdheun vdesin në atdhe”, gjë që menjëherë iu raportua shokut SS.
Romani “I huaji, ai Kosovari”, analizuar përmes unit subjektiv si raport i ndërvënë me objektin e rrëfimit, krahasuar me veprën e A. Kamysë “I huaji”, kanë të njëjtin tëhuajësim individësh, qëndrimi misterioz i të cilëve të lë shijen e bukës së absurdit. Rrëfimi përjetohet si diçka e kohës së shkuar që ruhet në muret e shpirtit, pastaj përkalimi nëpër realitetin jetësor dhe realitetin fiktiv ndihmon në formimin e personazhit narrator.
I huaji – Kosovari, identifikohet me vendin e shenjtë, me identifikimin e varreve, gjuhës dhe gjakut.
Kosova për ta (banorët e qytetit pa kishë) ishte krejtësisht e huaj, madje më e huaj se Madakaskari, Kosova që ishte veçse një fluturim zogu larg tyre dhe kishin të njëjtë emrat dhe mbiemrat e tyre. Kosova, në të cilën kishin shkuar me mijëra herë prindërit e tyre, për bukë e për luftë. E njëjta pati ndodhur edhe gjatë luftës së fundit. Megjithëse qe fundi i viteve 80-ta, por shumë njerëz mbetën të zhgënjyer, e sa shumë pleq revolucionarë e ëndërrimtarë vdiqën me grushtin lart për Partinë dhe me zemër të thyer që Kosova mbeti nën Serbi.
Gati një dekadë më vonë, ngjarjet e vitit 1999 jepen përmes ditarit. Është e pranishme edhe forma epistolare, përpos memoareve që përbëjnë pjesën më të madhe të përmbajtjes.
Në këtë ngritje piramidale rrëfimi, një personazh në pritje të premtimit dhe identitetit të përhumbur është Doruntina, përballë vuajtjeve të së cilës, shkrimtari Ahmetaj, vë tërë fanatizmin, prapambeturinë e një shoqërie paragjykuese, me qëndrim të padrejtë e shkatërrues ndaj dinjitetit të femrës. Duke mos e konceptuar të ardhmen si proces për emancipim a ndërrim mentalitetesh të vjetëruara e të dëmshme, asaj i imponohet dëshira për arratisje, kudo qoftë, veç larg vendit të izoluar, prej ku edhe Zoti për një kohë pati hequr dorë.
Situatat rrëfimore janë gërshetim interesant, edhe kur rastisim në zvarritjet kërmillore të individëve të përhumbur, edhe kur ndeshim vigjilencën e atyre që nuk hezitojnë të marrin arratinë, në emër të lirisë. Përgjithësisht, një krahasim me romanin “Procesi” të Franc Kafkës, pa dyshim se vihet re, ndonëse jo si identifikim tërësor. Sigurisht, në këtë ide na shtyn fakti që edhe dëshmitë e rëndësishme janë futur nëpër kurthe keqkuptimesh. Në këtë rast, edhe po të mos ishte koiçidenca / përngjasmimi i personazheve, është ngarkesa psikologjike dhe involvimi i tyre në dramën kolektive.
***
Rrëfim në sfonde kujtimesh
Romani “Një natë tek Luiza”, që nga titulli është gjetje e duhur dhe ngacmuese, drejt një leximi të pakushtëzuar. Indi ndërlidhës midis kohëve, të tashmes dhe të shkuarës, krijon linjën midis fatit të një farmacisti dhe një gruaje “të harruar”, ndonëse në përpjekje të vazhdueshme të ruajtjes së identitetit.
Fillimi dhe mbarimi i romanit, ngrihet si parabolë midis dy linjash, ku konturohet përmbajtja me të gjitha rrjedhat e rrëfimit. Me një stil konciz rrëfimor, si model i Stevan Cvajg-ut, shkrimtari Arbër Ahmetaj na vendos brenda një ngjarje – enigmë, e cila do të kuptohet vetëm pas leximit të vëmendshëm dhe ndërlidhjes së njëpasnjëshme të sekuencave rrëfimore.
Përpos narratorit – farmacistit, që në fletët e para të romanit njihemi me Luizën, e cila vinte nga Islanda (kishte studiuar për letërsi, në Rejkjavik dhe Dublin), por kishte ëndërruar të bëhej aktore në Londër. Dikur…, për arsye shëndetësore kishte qëndruar në Gjenevë, ku e mësoi frengjishten, gjë që i mundësoi të komunikonte edhe me vetë kryeprotagonistin, që u njohën gjatë një seance nënshkrimesh të promovimit të librit të tij të parë, të përkthyer e botuar në frengjisht.
Rrëfimi merr trajtë besimi të ndërsjellë, kur ata të dy zbulojnë preferencën e përbashkët – letërsinë. Në këtë temë do të pikasen edhe kodet morale dhe vlerat e shijet e artit. Madje, në një mbrëmje të njohjes së tyre, ata folën gjatë për letërsinë dhe autorët: Samuel Beket, Pol Verlen, sikurse më pas: Homerin, Danten, Shekspirin, Tolstoin, Dostojevskin, Markezin, Coelhon dhe kuptohet Floberin… e admironin Floberin për zotësinë e gjetjes së Emës – Ema Bovarisë. Të gjithë këta romancierë të mëdhenj, kanë shtjelluar artin e tyre mbi drama individuale dhe kolektive, me një bazë të fortë dashurie, herë – herë edhe për të përmbysur klishe e kode tradicionale. Kësisoj fillon edhe rrëfimi i shkrimtarit Ahmetaj, fiksim i të cilit qe bërë Lina J.
Në këtë raport, ndoshta mjafton edhe kjo shkëputje: “E kam lexuar me një frymë romanin tënd” Por, ma zuri frymën” (Luiza). Pas këtij komenti pason revanshim i farmacistit: (Mirënjohës për leximin dy javor, në të kundërtën (Luiza) do të kishte bërë shoping, do të kishte qorruar patate ose bërë ndonjë gjë tjetër, larg leximit).
Pastaj, takimi me Ana Mennem-in sjell të tjera horizonte kuptimesh. Sigurisht, jo vetëm për nga koiçidenca e emrit me Marian, personazhi i Ahmetajt: Lina J. – Nora – Ana Mennem, do të mbeten gjatë në kujtesën e çdo lexuesi!
Letërsia e përkthyer dhe sistemi i pritjes
Letërsia shipe e shkruar jashtë kufijve të shtetit Amë e ka të patjetërsueshme të ruajë urat lidhëse, midis dy gjuhëve, kulturave, traditave.
Romani “Një natë tek Luiza” është tipik për të dëshmuar përpjekjen e shkrimtarit Ahmetaj për të sajuar romanin postmodern, duke përdorur elokuencën rrëfimorre, në një anë me realitetin e hidhur e të ashpër që e kaluara lë në vendin e tij, që si realitet është i pashkëputshëm nga ai Shqipëri – Kosovë, po sigurisht me problematika, jo tërësisht të ngjashme. Realitetin shoqëror dhe dramën sociale që për dy a më shumë dekada ngërdheshet me fatin e shqiptarit, në Shqipëri, në Ballkan e gjetiu trojeve tona. Teksa në pjesën tjetër të Evropës, veçmas në Zvicër, ku edhe zhvillohet kryekëput ngjarja, autori i jep tjetër përmasë të kuptuarit të artit, vlerave njerëzore, kulturore e intelektuale.
Romani karakterizohet me përdorimin e lirshëm të Unit autorial, si dhe transparencës së ngjarjeve, ndonëse ato shkruhen apo botohen shumë më vonë, ngase kanë ndodhur.
Horizonti i pritjes arrihet këndshëm, pasi është roman me fraza jo të gjata apo të lodhshme, falë njohjes së stilit të shkrimtarëve të “Brezit të humbur”, (E. Heminguej, E. M. Remark…) megjithëse, Ahmetaj arrin që ta ruajë stilin ajzbergian, përderisa mjeshtërisht lexuesin e fut në labirinte kërkimesh vetanake, prej ku ata edhe vetë mund ta imagjinojnë vazhdimësinë e ngjarjes, gjithmonë sipas ngritjes kulturore që posedojnë, në raport me vlerat e letërsisë. Të dy romanet: “I huaji, ai Kosovari” dhe “Një natë tek Luiza” me formësim shtresash rrëfimi tejet filozofike, cilësohen si vepra me vlerë, për nga ndërtimi kompozicional dhe mesazhi universal.