“Sha je be tu folën” ngërthen publikun para televizionit gjatë fundjavave – aktorët rrëfejnë suksesin e serialit humoristik
“Sha je be tu folën” është seriali i cili tashmë prej kohësh ka zbukuruar fundjavat e shumë shqiptarëve me skeçet humoristike.
Situata nga më të ndryshme, të cilat herë pas here me ironi pasqyrojnë realitetin e vendit apo edhe mentalitetin shqiptar, bëjnë që seriali në fjalë të jetë edhe më argëtues për popullatën.
Megjithëse e përmbledhur në rreth 35 minuta për një episod javor, prapa xhirimeve të këtij seriali qëndron një ekip i madh i cili punon me përkushtim që gjithçka të dalë sa më bukur para publikut.
Producenti dhe aktori Ridvan Murati, tha se është i kënaqur me ecurinë e “Sha je be tu folën” deri më tash, ndërsa thekson punën e madhe që bëhet për të arritur këtë rezultat.
“Xhirimet janë duke shkuar deri tash jashtëzakonisht mirë, normal është një ekip shumë i madh, një punë shumë e madhe. Jemi një ekip prej 30 personash, secili profesionist në punën e tyre. Të koordinosh gjithë punë dhe të kesh ekip prej shumë shteteve të ndryshme duke qenë të saktë është bajagi e vështirë, por deri tash jemi shumë të kënaqur”, tha Murati për Telegrafin.
Aktorja Adriana Matoshi, e cila përkundër angazhimeve në politikë si deputete e Kuvendit të Kosovës, prapëseprapë e gjen veten te profesioni i saj bazë – aktrimi.
Ajo tha për Telegrafin se përkundër lodhjes dhe sakrifikimit të shtatë ditëve të javës në punë, ndjehet e kënaqur që ka mundësinë të argëtojë publikun e saj.
“Është një punë intensive që ne e bëjmë për çdo javë dhe xhirimet shkojnë kryesisht shumë mirë. Por ne tash si individë që kemi edhe punë të tjera gjatë javës, është pak e rëndë që të mos e kesh të lirë as vikendin sepse ne çdo vikend. Por jam shumë e lumtur që jam pjesë e këtij seriali me një ekip të jashtëzakonshme. Është punë intensive, por shumë e kënaqshme dhe mundohemi të paktën një fundjavë t’i bëjmë njerëzit për të qeshur”, tha Adriana Matoshi për Telegrafin.