Shaban Xheladini kërkon drejtësi për vrasjen e djalit të tij, Arbenit
Familjarë, miq e aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje të dielën kanë bërë homazhe pranë varrit të Arben Xheladinit, aktivist i kësaj lëvizje, i cili është vrarë para 12 vitesh në protestat e 10 shkurtit të vitit 2007.
Në këtë demonstratë, ku qytetarë e aktivistë protestuan kundër negociatave me Serbinë, kishte humbur jetën edhe Mon Balaj, ndërsa u patën lënduar dhjetëra të tjerë.
Babai i Arben Xheladinit, Shaban Xheladini, ka thënë se Qeveria ende nuk e ka zbardhur rastin, në të cilin humbën jetën i biri i tij dhe Mon Balaj.
“Deri më tani qeveritë tona kanë rënë në gjumë dimëror dhe nuk kanë marrë kurrfarë hapi për të gjetur kriminelët që i rrahën e ushtruan dhunë në mbi 80 të rinj e të reja, i paaftësuan për jetë katër prej tyre dhe i vranë Arbenin edhe Monin”, ka thënë Xheladini.
Shaban Xheladini, ka thënë se aktivistët e vrarë nuk i ka mbrojtur as Hashim Thaçi.
“Djemtë tanë nuk konsiderohet si mbrojtës të Kosovës, madje edhe ish-kryetari i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi u vu në mbrojtje të policëve rumunë, tha Arbenin e Monin nuk i ka vrarë policia rumune por i ka vrarë Lëvizja Vetëvendosje, u vu në mbrojtje të atyre që me t’u kthyer në Rumani, parlamenti rumun i dekoroi, i shpërbleu se e kanë kryer punën mirë”, ka thënë Xheladini, raporton “Kosovapress”.
Shaban Xheladini ka thënë se i biri i tij, Arbeni qysh në moshën nëntë vjeçare kur kishte parë dhunën që po ushtrohej ndaj studentëve, nuk ishte ndarë nga protestat.
“Ai më nuk është ndalur, ka marrë pjesë në çdo tubim të studentëve që çoheshin në mbrojtje të interesit të shqiptarëve të interesit të mbrojtjes së Kosovës. Në atë kohë nuk u kursye që Kosova të mos pësojë, ai gjithmonë ka qenë në ballë të protestave edhe pse ishte i vogël”, ka thënë Xheladini.