Shabani dhe Qerimi deklarohen të pafajshëm për akuzat për spiunazh

17 mars 2025 | 10:49

Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi janë deklaruar të pafajshëm në lidhje me akuzat për spiunazh në seancën fillestare kundër tyre në Gjykatën Themelore në Prishtinë të hënën.

I pyetur nga gjykatësi Rrahman Beqiri se si deklarohet, Bedri Shabani tha: “Jam plotësisht i pafajshëm”.

Bedri Shabani akuzohet se i ka dhënë informata Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë, e njohur si BIA, para fillimit të luftës së viteve 1998-99 në Kosovë dhe deri në arrestimin e tij në vitin 2024, shkruan Rel.

Ai e ka ndihmuar BIA-n duke i dhënë informata dhe dokumente për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), masakrën e Reçakut, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Policinë e Kosovës, sipas aktakuzës.

Ai dyshohet se këtë informata ia dorëzoi një zyrtari të lartë të BIA-s, i cili dyshohet se ishte udhëheqës i operacionit ushtarak të Serbisë në masakrën e Reçakut, përmes komunikimeve telefonie, postës elektronike dhe takimeve fizike në territorin e Serbisë.

Ndërkohë, Muharrem Qerimi tha para gjykatësit se “unë nuk e pranoj fajësinë për veprën penale të spiunazhit”.

Muharrem Qerimi, përveç dhënies së informatave për UÇK-në, Policinë e Kosovës dhe AKI-në, akuzohet se i dërgoi BIA-s edhe të dhëna në lidhje me dëshmitarët e Gjykatës Speciale.

Qerimi e pranoi fajësinë për akuzën e dytë me të cilën ngarkohet, armëmbajtje pa leje.

Muajin e kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë Shabanit dhe Qerimit, nën dyshimin se e kanë kryer veprën penale të spiunazhit.

Ata u arrestuan në qershor të vitit të kaluar në qytetin e Ferizajt dhe prej atëherë janë mbajtur në paraburgim.

Seanca fillestare për ta duhej të mbahej javën e kaluar, por u shty për 17 mars, pasi njëri nga të akuzuarit kërkoi më shumë kohë për ta kuptuar aktakuzën para se ta bëjë deklarimin rreth fajësisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në orët e vona të së dieles ka vdekur Haxhi…