Shabani: Drita do të luftojë për titull dhe Kupë

16 gusht 2019 | 12:06

Bujar Shabani ka thënë për “Epokën e re” se Drita në edicionin e ri do të luftojë për trofe në elitën e futbollit të Kosovës dhe më pas do ta prezantojë Kosovën në garat ndërkombëtare. Mesfushori i skuadrës nga Gjilani ka lavdëruar edhe përforcimet e bëra në këtë afat kalimtar.

Mesfushori Bujar Shabani është optimist se skuadra e Dritës në edicionin e ri futbollistik 2019/2020 do të jetë e suksesshme. Shabani të për “Epokën e re” ka thënë se klubi ka krijuar kushte shumë të mira për futbollistë dhe kjo duhet të shpërblehet me trofe. “Klubi ka krijuar kushte të mira për punë dhe do të mundohemi sivjet në maksimum që të fitojmë trofe në mënyrë që të shpërblejmë atë që po bën klubi për ne”, ka thënë Shabani. Mesfushori Shabani është i kënaqur me performancën e skuadrës nga Gjilani në ndeshjet përgatitore dhe beson se kjo skuadër do të luajë sërish në Evropë. “Kemi bërë një fazë përgatitore të mirë dhe kemi luajtur miqësore të forta dhe e mira është se futbollistët e ardhur janë ambientuar shumë mirë. Kjo na bënë të mendojmë dhe besojmë shumë se do të fitojmë trofe dhe të luajmë në Evropë”, ka shtuar ai.

Ish-kampionia e Kosovës, Drita, në ndeshjen e parë të edicionit të ri në elitë e pret të dielën nga ora 17:00 skuadrën e Ferizajt, kurse Shabani beson se fitorja nuk do të diskutohet. Sipas ish-mesfushorit të Feronikelit, Drita, duhet t’i marrë tri pikë nga kjo ndeshje për ta nisur kampionatin me hap të mbarë. “Ndeshjen e parë në kampionat e kemi ndaj Ferizajt. Ne do të hyjmë në këtë ndeshje për fitore, pasi një gjë e tillë do të na ndihmonte për ndeshjet në vijim. Kundërshtari ka skuadër të mirë, por ne luajmë në fushën tonë dhe besojmë në tri pikë për ta nisur kampionatin me këmbë të mbarë”, ka deklaruar Shabani.

Skuadra e Dritës edicionin e fundit e mbylli në pozitën e katërt, duke mos arritur ta mbrojë titullin e kampiones, kurse e pasuksesshme ishte edhe në garë e Kupës. Drita së bashku me kampionin aktual, Feronikelin, Prishtinën dhe Gjilanin, po shihen si skuadrat favorite në garën për titull, por edhe për Kupë. Drita në këtë afat kalimtar bëri transferime shumë cilësore si Hamdi Namani, Faton Maloku dhe Izair Eminin. Këtyre i janë bashkuar edhe Ilir Blakçori, Viktor Kuka, Drilon Islami, Donat Hasanaj, Darko Tofiloski, Gilberto Fortunato dhe Bunjamin Shabani. Nga kjo skuadër janë larguar lojtarët që edicionin e kaluar kanë qenë titullarë të padiskutueshëm si Haxhi Neziraj, Endrit Krasniqi, Kyrian Nwabueze, Klajdi Burba, por edhe Mario Kirev, Zgjim Mustafa, Filonit Shaqiri dhe Përparim Livoreka.

/Veton ZYMBERI/  

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se sulmi ndaj…