Shabani: Dukagjini kualifikohet në raundin tjetër

14 korrik 2023 | 16:24

Autori i golit të parë historik për Dukagjinin në ndeshjen evropiane, Bujar Shabani, për “Epokën e re” ka thënë se skuadra nga Klina ka potencial për t’u kualifikuar në raundin tjetër të Ligës së Konferencës. “Me rëndësi është se e fituam ndeshjen e parë dhe tash duhet të përgatitemi dhe të përqendrohemi për ndeshjen kthyese që nuk do të jetë aspak e lehtë. Megjithatë, jam i bindur se do të kalojmë tutje në garën e Ligës së Konferencës, gjithmonë duke u bazuar në kualitetin që kemi si ekip”, ka deklaruar Shabani.

Dukagjini i Klinës debutoi në mënyrën më të mirë në garat evropiane, duke shënuar fitore ndaj FC Europa (2-1) në ndeshjen e rrethit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Golin e parë historik për klubin nga Klina e shënoi mesfushori me përvojë të madhe, Bujar Shabani, i cili të premten për “Epokën e re” ka thënë se cilësia e Dukagjinit është më e madhe se e kundërshtarit, por presioni i ndeshjes së parë ndërkombëtare e bëri të vetën. “Një fitore shumë e ëmbël për ekipin tonë dhe qytetin e Klinës që u paraqitëm për herë të parë në garat evropiane. Pa modesti mendoj se jemi në nivel më të lartë se kundërshtari, por ndeshja e parë në këtë kompeticion na vuri në presion. Për fitore kanë meritë të madhe tifozët ‘Hithat’ që gjithmonë janë pranë nesh dhe të gjithë qytetarët e Klinës”, ka thënë Shabani.

Mesfushori me përvojë të madhe në futbollin e Kosovës realizoi gol në minutën e 30. Ai është shprehur i bindur se skuadra nga Rrafshi i Dukagjinit do të kualifikohet më tuje në Ligën e Konferencës. “Me rëndësi është se e fituam ndeshjen e parë dhe tash duhet të përgatitemi dhe të përqendrohemi për ndeshjen kthyese që nuk do të jetë aspak e lehtë. Megjithatë, jam i bindur se do të kalojmë tutje në garën e Ligës së Konferencës, gjithmonë duke u bazuar në kualitetin që kemi si ekip”, ka deklaruar Shabani.

Presidenti i skuadrës së Dukagjinit, Fabian Veseli, i kënaqur me fitoren historike të skuadrës, i ka falënderuar të gjithë ata që kontribuon në këtë fitore. “Klinë, faleminderit shumë! Ndeshje historike për qytetin. Faleminderit për përkrahjen e vazhdueshme! Respekt dhe faleminderit stafit të trajnerëve dhe futbollistët për angazhimin! ‘Hitha’, respekt dhe faleminderit për kulturën!”, ka shkruar Veseli.

Ndërsa trajner Armend Dallku pas ndeshjes është shprehur paksa i zhgënjyer për faktin se skuadra që ai drejton ka pasur mundësi të shënojë më shumë gola. “Nëse them se jam i kënaqur gënjej. Nuk jam i kënaqur. Kishim shumë mundësi për ta thelluar rezultatin. Në momentin kur nuk duhej, pranuam gol. Ne jemi më lart se kundërshtari, por disa lojtarë nuk ishin në elementin e tyre. I uroj të gjithë adhuruesit e Dukagjinit dhe të gjithë Kosovës për këtë fitore”, ka thënë Dallku.

Dukagjini ndeshjen kthyese e zhvillon pas një jave në Gjibraltar.

/Veton ZYMBERI/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut…