Shabani me plot mungesa publikon listën kundër Austrisë
Përzgjedhësi i Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave, Agron Shabani, ka publikuar të hënën listën për ndeshjet kualifikuese në Austri.
Kosova nuk ka luajtur ndeshje vitin e kaluar për shkak të anulimit të garave si pasojë e koronavirusit. Tani do të paraqitet në fazën e parë kualifikuese për Botërorin 2021. Kosova është në grupin e katërt së bashku me Austrinë dhe Italinë. Ndeshja me Austrinë do të zhvillohet më 19 mars, ndërsa ajo me Italinë më 20 mars.
Ndeshjet luhen në Maria Enzersdorf në Austri. Dy të parët në grup avancojnë tutje, ndërsa synim i Kosovës është pozita e dytë. Shabani, megjithatë, nuk do të mund të llogaritë në shumë lojtare bartëse. Kryesisht për shkak të lëndimeve mungojnë lojtaret e rëndësishme si Leonora Demaj, Albana Arifi, Njoma Zogaj, Pashke Marku, Sara Rexhepi e disa të tjera. Mirjeta Bytyqi është në listë, por ajo vetëm në verë e fiton të drejtën që të luaj për Kosovën në ndeshjet zyrtare.
Për herë të parë është ftuar motra e Mirjetës, Mërgime Bytyqi. Për herë të parë është ftuar edhe Kristina Ukaj, portierja që, së fundi, është pajisur me pasaportë të Kosovës. Debutimin në ndeshje zyrtare do ta bëjnë motrat Marigona e Arlinda Hajdari që në fund të vitit 2019 ishin paraqitur në një turne në Antalia. Albina Rugova, Yllka Shatri, Aurora Shehdadi dhe Suzana Ujkiq janë ftuar nga Istogu. Ftesë mori edhe Njomza Kelmendi e Vushtrrisë dhe Aida Stagova e Prishtinës. Janë ftuar edhe lojtaret: Mirela Gjikokaj, Elma Kameri, Fitore Aliu, Veronika Kastrati e Meltem Ylberi.
Përkundër mungesave, vashat “dardane” do të japin më të mirën me synim për të avancuar në raundin tjetër të eliminatoreve. Në shtabin teknik të selektorit Shabani janë Faruk Shala e Valbona Rudaku. Grumbullimi i hendbollisteve bëhet më 12 mars në Istog.
Lista e hendbollisteve
Njomza Kelmendi, Elma Kameri, Mirela Gjikokaj, Yllka Shatri, Fitore Aliu, Arlinda Hajdari, Albina Rugova, Aurora Shehdadi, Aida Stagova, Kristina Ukaj Veronika Kastrati, Mirjeta Bytyqi, Marigona Hajdari, Mërgime Bytyqi, Suzana Ujkiç, Meltem Ylberi.