Shabani ndahet me Llapin: Krenar që isha pjesë e sukseseve historike me klubin e vendlindjes

27 korrik 2023 | 13:49

Skuadra e Llapit ka ndarë rrugët me mesfushorin Kushtrim Shabani, i cili djersiti fanellën e kësaj skuadre në tri vitet e fundit. Bashkëpunimi është ndërprerë me marrëveshje të dyanshme.

“Pas një takimi të drejtorit sportiv, Mentor Zhdrella dhe futbollistit u vendos që të ndërpritet bashkëpunimi këtu. Falënderojmë futbollistin Kushtrim Shabani për kontributin e dhënë për klubin si dhe i dëshirojmë suksese në vazhdim të karrierës”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Llapit.

Ndërsa në anën tjetër futbollisti Shabani ndihet krenarë më të arriturat që ka pasur me skuadrën e Llapit. “Çdo fillim e ka një fund, njësoj edhe rrugëtimit tim si futbollist i KF Llapi i erdhi fundi. Pas një periudhe të gjatë dhe shumë të suksesshme si futbollist i klubit Llapi, me marrëveshje të dyanshme me klubin vendosëm të ndërpresim bashkëpunimin. Jam krenar për periudhën e kaluar me klubin e vendlindjes sime dhe që isha pjesë e sukseseve historike të këtij klubi, ku me mund, djersë e shumë sakrificë udhëhoqa ekipin si kapiten”, ka thënë Shabani, i cili me pas ka falënderuar të gjithë anëtarët e klubit, tifozerinë “Ultras Legjendat” për mbështetjen që i kanë dhënë atij dhe klubit. “Klubit i dëshiroj shumë suksese në vazhdim, ndërsa për të ardhmen time do vendosi ditëve në vijim”, ka shtuar Shabani.

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Epiteti i “turistit” në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nga kryetari…