Shabani-Rama pranon zyrtarisht detyrën e kryetares së Gjykatës Themelore të Prishtinës
Në ambientet e Gjykatës Themelore të Prishtinës, të hënën është bërë pranim-dorëzimi i detyrës së kryetarit të gjykatës.
Gjyqtarja Albina Shabani – Rama e ka pranuar detyrën e kryetares së Gjykatës Themelore të Prishtinës, të cilën ia ka dorëzuar ushtruesi i deritashëm i detyrës së kryetarit të kësaj gjykate, Arben Hoti.
Me këtë rast, kryetarja e re, e ka falënderuar gjyqtarin Hoti për kontributin e dhënë gjatë periudhës sa gjykata është udhëhequr me ushtrues detyre dhe është zotuar se do të jap më të mirën nga vetja për gjykatën që do ta drejtojë për pesë vitet e ardhshme.
Po ashtu, ajo ka theksuar se prioritet i saj do të jetë angazhimi për një gjykatë të pavarur, efikase, transparente dhe llogaridhënëse.
Albina Shabani – Rama është zgjedhur kryetare e Gjykatës Themelore të Prishtinës më 23 qershor 2021 nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK).