Shabani: Short i vështirë, por Kosova nuk i frikësohet asnjë kundërshtari
Kombëtarja e Kosovës në hendboll (femrat) të enjten ka mësuar kundërshtarët e eliminatoreve për “Euro 2020”. Kosova do të garojë në grupin e tretë ku bëjnë pjesë edhe Gjermania, Sllovenia e Bjellorusia.
Kombëtarja e Kosovës ndeshjen e parë e luan si mysafire ndaj Sllovenisë, më 25 apo 26 shtator. Më pas më 28 apo 29 shtator e pret Gjermaninë, favoriten e grupit. Në mars të vitit tjetër luan dy ndeshjet ndaj Bjellorusisë e në fund të majit luan me Slloveninë në Prishtinë dhe me Gjermaninë si mysafire. Bjellorusia është kundërshtar i njohur për vajzat tona. Me këtë kombëtare jemi takuar tri herë, dy herë në kualifikimet për “Euro 2018” e një herë në kualifikimet për botëror.
Përzgjedhësi i Kosovës, Agron Shabani e ka vlerësuar të vështirë shortin. Dy kombëtaret e para në tabelë kualifikohen për në kampionat evropian që mbahet në Norvegji e Danimarkë. Kosova për herë të parë nis kualifikimet nga faza kryesore, falë përmirësimit të rezultateve.
“Ishim pa fat në short. Është short i vështirë, kemi të bëjmë me tri ekipe të nivelit të lartë. Me Bjellorusinë jemi të njoftuar. Në ndeshjen ndaj saj në Prishtinë kemi mundur të ndahemi të kënaqur si me rezultat ashtu edhe me lojë. Pësuam një humbje jo të lartë në Prishtinë, e ndoshta me pak fat rezultati do të ishte edhe më i ngushtë. Në lojën në Bjellorusi, në rrethana të shumta rënduese, humbëm lojën me rezultat të lartë. Vajzat njihen me këtë ekip dhe mendoj se kemi mësuar prej gabimeve . Sa i takon Gjermanisë e Sllovenisë, ndoshta nuk janë të nivelit të Hungarisë e Holandës, por janë ekipe që luajnë rol të madh në çdo turne”, ka thënë përzgjedhësi Shabani. Ai ka thënë se fakti që Gjermania në dy miqësore me Holandën kishte një humbje e një fitore, dëshmon për kualitetin e gjermaneve.
“Pas një periudhe që nuk patën rezultate të mira si kombëtare, me ardhjen e trajnerit të ri, Henk Groener, ekipi i femrave i Gjermanisë prapa lajmërohet në skenën ndërkombëtare me rezultate të mira. Sa i përket Sllovenisë, është ekip cilësor me lojtare që luajnë në klube me renome evropiane”, ka theksuar Shabani për të vazhduar që megjithatë Kosova nuk ia ka frikën asnjë kundërshtari: “Jemi ekip që nuk frikësohemi nga asnjë kundërshtar. Në të ardhmen do të jemi më të kompletuar. Do të na bashkohen edhe disa lojtare me përvojë, sidomos Albana Arifi që do të jetë ndihmë e madhe për bashkëlojtaret tjera”.