Shabani uron Xheladinin për fitoren në Dragash
Kandidati i PDK-së për kryetar të Dragashit, Shaban Shabani, ka pranuar rezultatin zgjedhor në këtë komunë pas numërimit të votave me postë. Ai ka uruar kundërkandidatin e tij nga LDK, Bexhet Xheladini për fitoren.
“Dje u numëruan fletëvotimet e ardhura me postë nga ana e bashkatdhetarëve tanë që jetojnë në mërgatë dhe përfundimisht u rivendos rezultati i zgjedhjeve për kryetar të komunës. Si të tillë, këtë rezultat e pranojmë, duke e respektuar kështu, vullnetin e shumicës së qytetarëve si themel i demokracisë, i cili nxjerr fitues kundërkandidatin tim, z. Xheladini, të cilin e uroj për zgjedhjen në krye të komunës për mandatin e ri”, ka shkruar Shabani në llogarinë e vet në “Facebook”.
Pas numërimit të votave me postë, kandidati i LDK-së, Bexhet Xheladini ka marrë 470 vota, dukshëm më shumë se kandidati i PDK-së Shaban Shabani, i cili ka marrë 173 vota.