Shahini: 400 biznese janë mbyllur për tre muaj
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka thënë për “Ekonomia Online” se brenda tre muajve në Kosovë janë shuar afër 400 kompani.
Këtë fakt, Shahini e sheh shqetësuese, teksa pret veprime institucionale.
“Është shqetësim për vendin, po flasim aktualisht për tre muajt e fundit ku mesatarisht janë mbyllur rreth 400 kompani e që këto kompani kryesisht janë mbyllur për shkaqe të problemeve të njëpasnjëshme që kanë pasur për shkak të humbjes së fuqisë në treg të borxheve dhe të konkurrencës jo fer”, ka theksuar Shahini.
Ai ka thënë se shuarja e bizneseve nuk mund të jetë vullnetare, përderisa ata nuk kanë arritur objektivat e veta.
“Asnjë biznes nuk mbyllet vullnetarisht që i ka punët mirë por që i ka punët keq. Kjo kupton që Kosova të mos jetë një vend atraktiv për bizneset e reja. Gjithashtu edhe bizneset me traditë janë duke shkuar drejt falimentimit për arsye të ndryshme të goditjeve të njëpasnjëshme që vijnë në biznes”, ka thënë
kryetari i AKB-së, Agim Shahini.
Ai ka thënë se mundësitë e reja zhvillimore ato të investimit si dhe mbështetëse janë tre faktorë tejet të rëndësishëm për t’u zhvilluar një biznes.