Shahini: Deklaratat e Vjosa Osmanit për BBC-në janë anti-patriotike
Ish-ministrja e Arsimit në Shqipëri, Besa Shahini ka kritikuar u.d. të Presidentit, Vjosa Osmani, për intervistën e saj në BBC, ku ka thënë se problemi më i madh në Kosovë është “krimi dhe korrupsioni”.
Në profilin e saj në “Facebook”, Shahini ka thënë se kjo deklaratë është popullsitë dhe anti-patriotike.
Sipas Shahinit, problemi kryesor për t’u diskutuar në media ndërkombëtare është fakti se Kosova nuk njihet si shtet nga rajoni, BE-ja dhe organizatat e tjera kryesore ndërkombëtar.
Postimi i plotë i Besa Shahinit:
Presidentja e Kosovës – përfaqësuesja më e lartë e vendit – tha për BBC-në, që problemi më i madh në Kosovë është “krimi dhe korrupsioni”. Përveçse e pavërtetë, kjo deklaratë është populiste dhe anti-patriotike.
Problemi kryesor për t’u diskutuar në media ndërkombëtare është fakti se Kosova nuk njihet si shtet nga rajoni, BE-ja dhe organizatat e tjera kryesore ndërkombëtare. Kjo pengon jo vetëm zhvillimin shoqëror dhe ekonomik, por edhe imagjinatën se si mund të dilet nga izolimi dhe pabarazia me vendet e tjera të rajonit.
Të flitet për krim dhe korrupsion në fushatë zgjedhore është e kuptueshme. Por, të përçohet diskursi i fushatës në media ndërkombëtare dhe të përshkruhet Kosova si vend i zhytur në krim e korrupsion, është të pështysh vetën në fytyrë, siç kanë bërë Basha e Meta shpesh me Shqipërinë për interesa vetjake elektorale. Kur e para e vendit prezanton gjithë gjeneratat paraardhëse politike si të korruptuara e të kriminalizuara, tingëllon mosbesues edhe cilësimi që ia bën vetes dhe Vetëvendosjes si të “pakorruptueshëm”.