Shahini dhe Malaj diskutojnë për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet bizneseve
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka njoftuar se ambasadori i Shqipërisë, Petrit Malaj ka vizituar të hënën AKB-në ku është pritur nga kryetari Agim Shahini me bashkëpunëtorë, me ç’rast është diskutuar për rritjen e bashkëpunimit në mes të bizneseve pa pengesa.
Shahini ka thënë se ekonomia vendore duhet të zhvillohet përmes sektorit privat si forcë dhe aset kombëtare në Kosovë dhe Shqipëri.
“Shkëmbimet tregtare arritën në 440 milionë euro në vitin 2023 dhe janë në rritje mes dy shteteve tona, por janë jo në nivelin e dëshiruar që bizneset tona mund të furnizojnë konsumatorët shqiptarë, neve na mungon kultura konsumuese për prodhime vendore”, citohet të këtë thënë Shahini.
Ndërsa Petrit Malaj, ambasador i Shqipërisë në Kosovë, ka thënë se “jemi duke punuar ngushtë me dy qeveritë tona për përmirësimin e ambientit ekonomik dhe rritjen e bashkëpunimit mes bizneseve pa pengesa, kjo neve na obligon si institucione që të ofrojmë kushte sa më të mira dhe të sigurta për çdo biznes që investon në Kosovë apo Shqipëri”.