Shahini: Ekonomia kombëtare të fokusohet për të fuqizuar prodhimin vendor
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), ka organizuar Darkën e Bizneseve. Në emër të bizneseve kryetari i AKB-së, Agim Shahini ka kërkuar që bizneset të përkrahen më shumë nga qeveria.
Ai ka thënë se ekonomia kombëtare duhet të fokusohet për të fuqizuar prodhimin vendor.
“Jemi mbledhur sot këtu për ta festuar përmbylljen e këtij viti me burimet më të mira të vitit 2025. Ekonomia kombëtare është në vuajtje të ngritjes së vetëdijes kombëtare për konsum vendor. Dëshirojmë që ekonomia kombëtare të fokusohet për të fuqizuar prodhimin vendor. Ekonomia kombëtare rreth 15 milionë importon produkte vetëm në Kosovë, kurse prodhimi vendor del më i dobëti Kosova”, tha Shahini.
Ai tha se qeveria e vendit duhet të bëjë më shumë për bizneset, ndonëse sipas tij si AKB e vlerësojnë çdo përpjekje të institucioneve për ta mbështetur ekonominë e vendit.
“AKB në vitin 2025 synon të rritet dhe të zgjerohet, ne kemi vizion jo mandat, ai është i dukshëm. Shteti duhet të zhvillohet nëse merr rekomandime me përfaqësuesit e bizneseve. Për herë të parë Kosova ballafaqohet me sanksione ekonomike që ka ndikuar në humbjen e të hyrave 1 miliardë euro. Qeveria e re e cila do të themelohet me 9 shkurt dëshirojmë që ta dëgjoj zërin e biznesit”, ka thënë Shahini.
Ndërsa, ish kryeministri Avdullah Hoti tha se është keq që ka munguar dialogu publik e privat.
“Jam i bindur që nëse Qeveria do t’iu kishte dëgjuar nuk do të ishin këto probleme. Tani është koha kur vendi merr drejtimin e ardhshëm për katër vitet në vijim”, tha Hoti.
Deputeti Besnik Tahiri theksoi se ndërmarrësit janë shtylla kryesore që e kanë mbajtur gjallë shtetin duke kontribuar në buxhet.
“Këto momente nuk janë për politikë, por do të thoja dy porosi, nëse kthejmë kohën mbrapa dhe mendojmë për lirinë pa asnjë dyshim një kontribut të jashtëzakonshëm e ka secili ndërmarrës të cilët e kanë mbajtur gjallë shtetin e Kosovës duke kontribuar në buxhetin e Kosovës dhe duke qenë shtylla kryesore në zhvillimin e Kosovës”, tha Tahiri.
Biznesmeni Shkelzen Jusaj tha se bizneset kanë nevojë për politika fiskale të favorshme që u mundësojnë krijimin e vendeve të punës.
“Secili prej juve ishit dëshmitar i këtij viti që ishte shumë i rëndë, por ia kemi dal të kthejmë në një vit të suksesshëm. Neve na duhet të kemi politika fiskale të favorshme përkrahje të bizneseve që krijon vende të punës. Disa dëme që janë bërë në raportet ndërkombëtare nuk mund të sanohen për një ditë. Secili kemi provuar politikanë me radhë tani e keni radhën të zgjidhni, pas nëntë shkurtit mos të dëgjoj që ankohemi”, ka thënë Jusaj./EO