Shahini: Me ngritjen e çmimit të energjisë elektrike rrezikohen të mbyllen disa biznese
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, për rritjen e energjisë elektrike prej 15.4 për qind thotë se me këtë vendim do të përfitojnë vetëm distrubuterot që e shesin energjinë.
Sipas Shahinit, në mënyrë që të mos ndikojë rritja e çmimit të energjisë te bizneset është dashur që Qeveria të ndërhyjë në vendimin e ZRrE-së.
“Kësaj here Qeveria ish dashur të ndërhyjë drejtpërsëdrejti në ZRrE që të mos e lejon ngritjen e çmimit. Kjo është një pajtueshmëri mes tyre, dhe nga kjo do të përfitojnë vetëm distrubuterët, të cilët shesin energjinë elektrike, e për këtë Kosova duhet ta liberalizojë tregun më shumë të kemi konkurrencë më të fuqishme për blerjen e energjisë”, tha Shahini në Tëvë1.
Ai ka treguar se kanë realizuar pyetësor për të ditur ndikimin e ngritjes së energjisë në biznese, ku ka bërë të ditur se nga 1 mijë pjesëmarrës, 85 qër qind kanë marrë përgjigje negative.
“Neve ditë më herët prej kur na është lajmëruar kemi kontaktuar degët tona në terë regjionin e Kosovës, që i kemi gjashtë degë. Ata kanë bërë një pyetësor në nivel lokal se ‘Çfarë do të ndikojë ngritja e energjisë elektrike te biznesi juaj?’. Nga 1 mijë pjesëmarrës që janë marrë si moster, 85 për qind janë përgjigjur negativisht se kjo do të ndikojë shumë në biznese”, ka thënë ai.
Shahini ka thënë se me ngritjen e çmimit shumë biznese rrezikojnë të mbyllen.
“Nga 1 mijë biznese që kanë qenë në buzë të falimentimit dhe kanë hyrë në këtë vit me një krizë të thellë, ato definitivisht do të mund të rrezikohen e të mbyllen dhe kjo do të ndikojë shumë në mirëqenien e bizneseve. Është rritur energjia elektrike, po ashtu edhe qiratë. Bizneset e Kosovës rreth 93 për qind punojnë në objekte me qira. Numri 1 i problemit është se si ta paguajnë qiranë, shërbimet publike po ashtu taksat, e në fund mendojnë për pagën e punëtorit. E në fund të fundit mendojnë se a do të ketë ndonjë fitim për pronarët e kompanive”, shtoi mes tjerash ai.
Sipas Shahinit ekziston një deponim i madh në tokën e Kosovës, që me shpenzimin aktual për 650 vjet Kosova ka thëngjill, të cilin nuk mund ta shpenzojë.
“Ekziston një deponim i madh në tokat e Kosovës që me shpenzimin aktual për 650 vjet ne kemi thëngjill që nuk mund ta shpenzojmë. Nëse në vitin 2035 do të ndalohet krejtësisht thëngjilli neve do të na mbetej ajo pasuri nëntokësore e pa shfrytëzuar, bile edhe mund ta rrezikojmë për shkak se mund të ketë ndonjë vullkan”, ka thënë ai.