Shahini për protestën e studentëve: U rrëmbye me dhunë nga një grusht individësh partiakë
Protesta e studentëve para Ministrisë së Arsimit në Shqipëri ka sjellë reagimin e ministres së kësaj ministrie, Besa Shahini.
Në një postim në llogarinë e vet në “Facebook”, Shahini e ka quajtur protestën të rrëmbyer nga një grusht individësh partiakë, të cilët më pas e kthyen në sfond dhune.
Postimi i plotë i Shahinit:
Ishte një trishtim për mua, por edhe një cenim i rëndë i imazhit të studentit protestues, që sot para Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë një grusht individësh partiakë e rrëmbyen me dhunë masën e vogël të studentëve duke e kthyer në sfond dhune.
Thanë se do të vinin të kërkojnë cilësi të arsimit të lartë duke protestuar në të njëjtin vend ku protesta e dhjetorit i hapi rrugën paktit kuptimplotë për universitetin. Por thjesht thyen xhamat e institucionit sipas modelit më të keq të politikës opozitare.
Lajmi i mirë është se sot studenti protestues nuk ishte aty, por sidoqoftë trishtimi mbetet dhe turpi u mbetet atyre që lanë nam me “protestën” e kthyer në një shfaqje të teatrit të dhunshëm opozitar.
Ndërkohë, ne do të vazhdojmë të mbajmë angazhimet e Paktit për Universitetin, që sot ka sjellë në jetën universitare bibliotekën digjitale, portalin e transparencës, bursat për ekselentët e studentët në nevojë, kantieret për përmirësimin e kushteve nëpër konvikte, zhvillimin e kartës për 110 mijë studentë të universiteteve publike.
/Epoka e re/