Shahini: Taksa 100 për qind ka arritur efektin e vet
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka thënë se nëse merret vendim për masa reciprociteti të plotë me Serbinë, atëherë Kosova duhet t’i zbatojë ligjet ashtu njëjtë sikur Serbia. Ai në një prononcim për “Ekonomia Online” ka thënë se ende nuk dihet fuqia e koalicionit LV-LDK, por në qoftë se merren këto vendime atëherë duhet konsultuar me partnerët e vendit dhe me faktorin ndërkombëtar. “Masa e proklamuar nga gjitha partitë politike gjatë fushatës që taksa të kthehet në reciprocitet është më e butë sesa kjo, sepse është e pranueshme ndaj të gjitha vendeve. Unë dyshoj që kjo masë do të kthehet në reciprocitet, por ne nuk e dimë fuqinë e koalicionit dhe çfarë fuqie do të ketë koalicioni qeverisës. Nëse nuk e ka fuqinë e madhe dhe është i kufizuar do të ketë problem që të merr këso vendime, por mendoj që duhet të konsultohen me faktorin ndërkombëtar dhe atë vendor që të merret një vendim gjithëpërfshirës. Tani nëse merret një vendim i mirë dhe nuk përkrahet prej të gjithëve, atëherë ky vendim do të jetë një mangësi ose një trysni e faktorit ndërkombëtar”, ka thënë Shahini.
Ai ka theksuar se vendimi i taksës ka qenë i drejtë i cili Serbisë dhe Bosnjës i ka shkaktuar humbje prej 600 milionë euro për një vit. “Ne kemi vlerësuar që taksa ka qenë me vend dhe ka pasur profit të madh në institucionet e vendit. Në krahasim me një periudhë gati njëvjeçare Serbia dhe Bosnja kanë një humbje mbi 600 milionë euro eksport në Kosovë. Prodhimtaria vendore është rritur, është rritur vetëdija e konsumit për prodhim vendi dhe humbjet më të mëdha i ka pasur ekonomikisht Serbia”, ka thënë ai.
Sipas Shahinit, qeveria e ardhshme duhet të koordinohet mirë se si do të veprojë rreth taksës dhe jo të merr vendim emocional, por duke u konsultuar me partnerët vendorë dhe ndërkombëtar në mënyrë që ne ta kemi një masë mbrojtëse. “Taksa tashmë ka arritur efektin e vet duke rritur vendin në nivel ndërkombëtarë dhe kjo tashmë ka treguar që Kosova mund të merr vendime të rëndësishme”, ka thënë Shahini.