Shaip Kamberi reagon ndaj deklaratave të Vuçiqit për dialogun
Përfaqësuesi i shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, i ka reaguar presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, pasi ky i fundit u shpreh se e sheh të pakuptimtë dialogimin me kryeministrin e Kosovës.
Përmes një postimi në “Facebook”, Kamberi pyet Vuçiqin se “pse e ka bllokuar dialogun me të zgjedhurit e Luginës?”
“Ne, të zgjedhurit e Luginës, ju presim me vite në tavolinën e dialogut nga i cili keni ikur z.Vuçiq. Meqë qenkeni për dialog të tillë, le ta rifillojmë dialogun edhe ‘mbi të ardhmen në dobi të uljes së tensioneve midis shqiptarëve dhe serbëve’. Pra, me Luginën dhe për Luginën s’doni fare “dialog e negociata” dhe as ‘ndikim në uljen e tensioneve midis serbëve dhe shqiptarëve’. E në anën tjetër dëshironi dialog në Kosovë dhe për Kosovën vetëm sipas dëshirave tuaja”, ka shkruar ai.
Ndryshe, Vuçiq ka deklaruar sot se “Serbia gjithmonë do të marrë pjesë në dialog, kurdo që thirret, por nuk shoh shumë sens për të dialoguar me Kurtin, sepse ai flet vetëm për të shkuarën, dhe jo për të ardhmen”.