Shala: 17 janari shënon njërën nga datat më të trishta të historike kombëtare shqiptare
Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka thënë se 17 janari shënon njërën nga datat me të trishta të historisë kombëtare shqiptare.
Shala, duke përkujtuar Skënderbeun, vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën, ka thënë se ata janë shëmbëlltyra të kombit shqiptar.
“Në kalendarin e historisë kombëtare shqiptare 17 janari pa dyshim se shënon njërën nga datat më të trishta. 553 vjet më parë në Krujën legjendare pushoi zemra e madhe e kryetrimit dhe kryezotit të Arbërisë, Gjergj Kastriotit-Skënderbeu. Historia e qytetërimeve njerëzore ka njohur pak prijës e gjeneralë luftërash si Skënderbeu ynë. Lufta e tij çlirimtare si dhe dashuria e pakusht për atdheun, qëndrojnë fort në themelet e identitetit tonë kombëtar. Prijësi-mbret mbetët shenjtëria, mburrja dhe krenaria jonë legjendare. Figura e tij sublimon vlerat më të larta të kombit shqiptar në mesin e kombeve të Evropës për më shumë se pesë shekuj e gjysmë”.
“Edhe në tjetër 17 janar, këtu e 39 vjet më parë, u bë shenjë e zezë në historinë tonë kombëtare. UDB-ja jugosllave vrau në afërsi të Shtutgardit të Gjermanisë tre nga bijtë më të devotshëm që pati kombi shqiptar: Jusuf Gërvallën Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën. Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka, me veprimtarinë, dhe, më në fund, me flijimin e tyre, u bënë shëmbëlltyra vendimtare për brezin çlirimtar, i cili më 1999 e bëri realitet lirinë e Kosovës”, ka shkruar Shala në llogarinë e vet në “Facebook”.