Shala: Apeli për gjashtë muaj ka zgjidhur mbi gjashtë mijë lëndë
Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, ka thënë se institucioni që ai drejton ka shtuar dukshëm efikasitetin në gjysmën e parë këtij viti.
Në një konferencë për media të premten ka thënë se përkundër sfidave dhe vështirësive, gjyqtarët e kësaj gjykate kanë arritur t’i kryejnë mbi 6 mijë lëndë, nga 19 mijë sa ka pasur në punë. “Gjykata e Apelit, për fat jo të mirë, e ka filluar punën në vitin 2018 me 12 576 lëndë të pazgjidhura. Në gjashtë mujorin e parë të vitit 2018 kemi pranuar në punë 7 012 lëndë. Në total i bije se gjatë kësaj periudhe kemi pasur në punë 19 588 lëndë. Nga to, përkundër sfidave dhe vështirësive gjykata ka arritur t’i zgjidh 6 410 lëndë. Ndërsa në punë vazhdojnë te mbesin edhe 13 178 lëndë”, ka thënë Shala.
Sipas tij, nëse këtë numër të lëndëve të zgjidhura, e krahasojmë me numrin e lëndëve të pranuara gjatë këtyre muajve, del se janë zgjidhur 91 për qind e lëndëve që kanë ardhur në gjykatë apo 572 lëndë më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit 2017.
Shala ka potencuar se në Gjykatën e Apelit nuk ka asnjë lëndë që ka të bëjë me procesin e liberalizimit të vizave, ndërsa lëndët kundër korrupsionit po shqyrtohen me prioritet.