Shala: Asociacioni do të formohet
“Asociacioni i komunave me shumicë serbe është përgjegjësi e Prishtinës dhe ne nuk guxojmë dhe nuk mund të ikim nga ky obligim”, ka thënë Blerim Shala, këshilltar i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Ai i bëri këto komente në një debat në Beograd me temën “Dialogu diplomatik – gjendja dhe perspektiva e dialogut të Brukselit”.
“Shpresoj se shumë shpejt do të formojmë grupin punues dhe ky grup me ekipin menaxhues, që e përbëjnë katër serbë, dhe me OSBE-në do të nisë të punojë në Statutin e Bashkësisë apo Asociacionit, ndërsa fjala e fundit do të jepet në nivelin më të lartë në Bruksel, sepse kjo është një çështje politike. Ky Asociacion, kjo Bashkësi do të formohet”, ka thënë Shala, raporton Shërbimi i Ballkanit i “Radios Evropa e Lirë”.
Po ashtu Shala ka thënë se është herët të flitet për një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme midis Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve, por ka shtuar se vetë koncepti i një marrëveshjeje të detyrueshme ligjore sugjeron se ajo do t’i detyrojë ligjërisht Serbinë dhe Kosovën.
“Llogarisim se normalizimi duhet të jetë vetëm faza e parë e marrëdhënieve, e cila duhet të rrumbullaksohet me pajtimin midis popujve, pajtimin në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Shala.