Shala: Besoj fuqishëm në pastërtinë e luftës së UÇK-së
Ish-eprori i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Ferat Shala, pas ftesave nga Gjykata Speciale për disa ish- eprorë të UÇK-së dhe kryeministrin Ramush Haradinaj, ka thënë se beson fuqishëm në pastërtinë e luftës çlirimtare.
“Sot u konfirmua se Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim kryeministrin e Qeverisë së Kosovës dhe ish-komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, ish-anëtarin e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, dhe njëherit ish-kryetar i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, ish-shefin e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, Bislim Zyrapi si dhe disa ish – eprorë të tjerë të UÇK-së”
“Pavarësisht këtyre dyshimeve dhe procedurave, pavarësisht paralajmërimeve për ftesa edhe për ish eprorë e ushtarë tjerë të UÇK-së, pavarësisht proceseve që tashmë kanë filluar ndaj disa ish pjesëtarëve të UÇK-së, si dhe pavarësisht epilogut përfundimtarë të këtij procesi unë besoj fuqimisht në pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në vlerat e larta morale dhe etike të ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Vlerat e luftën sonë për liri, krenarinë, dinjitetit dhe pastërtinë e luftëtarëve të lirisë nuk mund ti njollosë dhe nëpërkëmbë askush. Ndjejmë keqardhje për të gjithë pjesëtarët e UÇK-së, që po përballen më këtë proces, por solidarizohemi dhe i mbështesim ata edhe në këtë sfidë për Kosovën”, ka shkruar Shala në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/