
Shala: Bujqit kosovar së shpejti do të eksportojnë në Hungari
Ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusz, ka shprehur gatishmërinë për ta mbështetur Kosovën në fushën e bujqësisë në mënyrë që bujqit kosovar të eksportojnë në Hungari. Kështu është thënë gjatë takimit të këtij të fundit me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.
Ministri Shala dhe ambasadori Markusz kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit në mes të dyja shteteve. “Me emërimin tim në MTI, planifikoj ta rris dinamikën e punës dhe prioritet i imi është mbrojtja e konsumatorit, që është në përgjegjësin e ministrisë që drejtoj, mbrojtja e prodhimit vendor dhe stimulimi i prodhuesve vendor”, ka thënë Shala.
Ambasadori Markusz ka shprehur gatishmërinë për ta mbështetur Kosovën në fushën e bujqësisë, konkretisht ka ofruar bashkëpunim që t’iu mundësohet bujqve t’i eksportojnë produktet e Kosovës në Hungari dhe u dakorduan ta nënshkruajnë një marrëveshje dy shtetërore që do t’i shërbejë Kosovës në fushën e mbrojtjes së investimeve të huaja.
Po ashtu, gjatë këtij takimi ambasadori ka paraqitur para ministrit interesimin e një investitori hungarez, i cili do të hap në Kosovë një fabrikë për prodhimin e makinerisë bujqësore.
/Epoka e re/