Shala: Çdo paralajmërim për masa nga Serbia dhe Bosnja do ta marrë përgjigjen e njëjtë
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka thënë se secili veprim që mund të merret nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina kundrejt ekonomisë së Republikës së Kosovës, është asgjë më shumë veçse emërtim i praktikave që janë duke u zbatuar për 19 vjet nga këto dy shtete.
“Çdo paralajmërim për masa nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina do ta marrë përgjigjen e njëjtë dhe atë në kohë rekorde nga Qeveria e Kosovës”, ka shkruar ministri Shala në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka shtuar se Kosova tashmë është shtet dhe këtë duhet ta kuptojnë Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
“Këto dy vende më nuk do të duhej të tolerohen të përdorin politika të dyfishta. Luftimi edhe i vetë qenies së Republikës së Kosovës ka ndodhur që nga paslufta nga këto dy shtete, Kosova si shtet do t’i përgjigjet secilit veprim të këtyre dy shteteve”, ka thënë Shala.
/Epoka e re/