Shala: Do ta prezantojmë denjësisht hendbollin e Kosovës në Spanjë
Trajneri i KHF Istogu, Faruk Shala, ka premtuar angazhim maksimal të skuadrës që ai e drejton për ta prezantuar sa më mirë hendbollin e Kosovës në Spanjë. Istogu, që bëri histori në garat evropiane, sot (e shtunë) dhe
nesër (e diele) do të përballet në kuadër të një të tetës së finales të Kupës Sfiduese (Challenge Cup), me skuadrën spanjolle Rincon Fertilidad Malaga.
“Do të përpiqemi ta prezantojmë sa më mirë qytetin tonë dhe gjithë hendbollin
e Kosovës. Jemi të vetëdijshëm se do të jetë shumë vështirë pasi skuadra spanjolle është shumë cilësore dhe së fundi ka angazhuar disa lojtare shtesë. Kështu që premtojmë angazhim maksimal, ndërsa ndeshjet do të jenë përvojë e mirëseardhur për lojtaret tona,
sidomos ato të reja”, ka thënë Shala, i cili e ka pranuar se mungesa e disa hendbollisteve nuk e lejon Istogun të shpresojë shumë në dy përballjet ndaj skuadrës spanjolle.
“Suksesi ndaj italianeve e kishte edhe çmimin e vet. Na janë lënduar lojtare të rëndësishme si Keta Venetski, Burneta Rama e Fatlinda Fejza. Pra, në Spanjë do të paraqitemi me fond të limituar
lojtaresh. Për arsye personale nuk është më me ne as Arlinda Krasniqi. Kemi shpresuar të angazhojmë disa lojtare të huaja, por nuk ka qenë e mundur për
shumë arsye”, ka deklaruar Shala.
Ndërsa Klubi i Istogut nëpërmjet një njoftimi ka falënderuar Komunën e Istogut, qytetarët, bashkatdhetarët, bizneset dhe gjithë ata që kontribuuan për skuadrën që shkroi një histori të re në garat evropiane.
Ndeshja e parë zhvillohet të shtunën nga ora 18:30, kurse ndeshja e dytë të dielën nga ora 11:00.
/EPOKA E RE/