Shala: Dua titullin kampion në Holandë
Naser Shala ka treguar se ka synime të mëdha gjatë vitit 2018 në boksin holandez. “Synimet e mia janë të shpallem kampion i Holandës dhe në fund të vitit do të debutoj në boksin profesionist”, ka thënë Shala, i cili edhe një herë e ka akuzuar Federatën e Boksit të Kosovës.
Boksieri shqiptar, Naser Shala, i cili karrierën është duke e zhvilluar në boksin holandez, ka thënë për “Epokën e re” se synimet e tij në këtë vit janë të shpallet kampion. “Synimet e mia janë të shpallem kampion i Holandës dhe në fund të vitit do të debutoj në boksin profesionist”, ka thënë Shala, i cili më pas ka folur për jetën e tij sportive në këtë vend, duke e vlerësuar pozitive.
Me këtë rast një prej boksierëve më të mirë nga Kosova ka treguar se në këtë vit është rritur edhe intensiteti i stërvitjeve nga katër në gjashtë ditë. “Karriera ime në Holandë është duke shkuar shumë mirë, ani pse nuk kam shumë meçe. Të gjitha ndeshjet që i zhvilloj këtu janë të rangut të lartë, me boksierë të klasës A. E rëndësishëm është fakti se stërvitjet do të më rritën në këtë vit, pasi nga katër ditë sa i kam pasur, tash do të kam gjashtë herë në ditë. Këtu mund ta arrij nivelin e lartë të boksit duke u shpallur fillimisht kampion i Holandës, më pas do të hyj në top listën e reprezentacionit, kurse vitin kaluar kam qenë në top-treshe dhe e kam prezantuar Holandën në disa gara në Evropë”, ka deklaruar ai.
Naser Shala edhe një herë i ka akuzuar drejtuesit e Federatës së Boksit të Kosovës për mossukseset në boks. Sipas tij, asnjëherë nuk do të bëhet mirë në boksin e Kosovës derisa kjo udhëheqësi të jetë në krye të Federatës.
“Gjendja e boksit të Kosovës është vërtet katastrofale dhe derisa aty është ajo udhëheqësi, kurrë nuk do të bëhet mirë, sepse mbizotëron urrejtja ndaj boksierëve të caktuar dhe disa qyteteve në Kosovë. Për këtë dëshmi janë edhe mossukseset në këtë federatë dhe mbetja e vetëm një boksieri me përvojë në reprezentacion. Të gjitha të hollat i ndajnë udhëheqësit ndërmjet vete, kurse boksierët boksojnë falas. Do të ishte mirë që të shikohet dhe kontrollohet qarkullimi i mjeteve në Federatë, pasi faturat janë gjithmonë të shumëfishuara”, ka deklaruar Shala.
(Veton ZYMBERI)