Shala e quan “raciste” marrëveshjen për të burgosurit me Danimarkën, shkel të drejtat e njeriut
Marrëveshja Kosovë-Danimarkë për transferimin e rreth 300 të burgosurve në burgun e Gjilanit, po konsiderohet si kriminale dhe raciste nga kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriu, Behxhet Shala.
Ai thotë se kjo marrëveshje ka shkaktuar shqetësime, pasi vlerësohet si shkelje e të drejtave të njeriut.
Shala në një intervistë për “Kosovapress” thotë se kjo marrëveshje nuk sjellë dobi për Kosovën, derisa thekson se të burgosurit nga Danimarka, mund të jenë kriminelë islamikë që merren me krim të organizuar.
“Ajo është marrëveshje kriminale, marrëveshje raciste. Kjo marrëveshje nuk e sjell asnjë dobi për Kosovën, sepse po i importoni të dënuar nga një shtet, i cili ka mundësi që një mijë herë më shumë se Kosova t’i trajtojë dhe t’iu jep kushte më të mira të trajtimit fizik dhe të tjera, e ata kur po heqin dorë nga ajo, po na i bien në Kosovë, po i shesin sikur mall. Ata të burgosur, asnjëri prej tyre, 300 nuk janë shtetas danezë. Ata të gjithë janë të shteteve nga Afrika, Azia… Ata që vinë nga Danimarka mund të jenë kriminelë islamikë që janë marrë me krim të organizuar, me tregtim të narkotikëve dhe tregtim të qenieve njerëzore. Kjo është e rrezikshme, sepse eliminon punën e Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe kjo lidhet drejtpërdrejt me sovranitetin dhe sigurinë e shtetit… Kjo marrëveshje, e cila është thellësisht e dëmshme për Kosovës, kjo është më shumë për partitë politike, sepse e keni parë se arsyetimi i Ministrisë së Drejtësisë ka qenë se Danimarka është shtet mik, i cili e ka njohur pavarësinë e Kosovës”, tha Shala.
Përveç kësaj, Shala foli edhe për të burgosurit në Kosovë, për çka kritikoi presidenten Vjosa Osmani për mos faljen e disa të burgosurve që sipas tij e meritojnë të lirohen.