Shala: Ende zyrtarisht s’jam i njoftuar për shfuqizimin e vendimit për pastrimin e rezervuarëve të naftës
Ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se, pavarësisht prej rrethanave politike, mbetet në fuqi Udhëzimi Administrativ i MTI-së për pastrimin e rezervuarëve të naftës. Megjithëkëtë, ai ka pohuar se akoma s’ka marrë ndonjë informacion zyrtar nga kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, se ka anuluar Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për pastrimin e rezervuarëve të naftës.
“Jo, t’ju them të drejtën ende nuk jam njoftuar zyrtarisht nga zotëri Haradinaj për shfuqizimin e këtij vendimi, pos asaj që po flitet në medie. E ripërsëris se këtë vendim e kam marrë për mbrojtje të interesave të konsumatorëve dhe do të mbetet në fuqi pa asnjë dyshim, pos nëse në legjislaturën e ardhshme e shfuqizon Kuvendi”, ka thënë Shala.
/Epoka e Re/ A. MAVRAJ