Shala i kërkon Osmanit që mos ta shtyjë seancën në limitet e fundit
Tashmë janë bërë tri ditë që në Kuvendin e Kosovës është deponuar mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë Kurti, i cili është iniciuar nga LDK-ja.
Përkundër kësaj, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka vendosur që mbledhja e Kryesisë ku do të caktohet seanca të mbahet nesër në orën 14:00.
Madje ajo ka kërkuar një opinion nga Instituti Kombëtar për Shëndetin Publik, nëse mund të mbahet seanca.
Por, për shkak të rrethanave në vend, shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala ka kërkuar nga kryetarja e Kuvendit që menjëherë ta thërras seancën, sepse kështu e obligon Kushtetuta kur ka mocion mosbesimi për qeverinë.
“Kryetare përmbushe detyrimin që ke me Kushtetutë, thirre seancën. Urdhëro administratën që të merr masat përgatitore dhe krijo kushte për mbarëvajtje të seancës dhe mos e vono deri në ditën e pestë që është limiti ligjor”, ka thënë ndër të tjera Shala në një prononcim për “Indeksonline”.
Më tutje, ai ka thënë se do të ishte një papërgjegjësi e madhe nëse, ajo kalkulon me rrethanat aktuale me të cilat po ballafaqohet vendi, duke tentuar ta shtyjë seancën deri në orën e fundit që e përcakton Kushtetua.
Shala ka thënë se nuk është në vullnetin mbajtja ose jo e seancës, por është obligim kushtetues që ka pasi janë mbi 40 nënshkrime të deponuara në Kuvend për mbajtje të seancës.
Zyrtari i lartë i Nismës, e ka paralajmëruar kryetaren e Kuvendit për pasojat kushtetuese, nëse synon të mos lejojë mbajtjen e seancës.
“Ju bëheni kryetarja e parë e Kuvendit që shkarkohet për shkeljen e Kushtetutës, duke tentuar të ia pamundësoj deputetëve për të përmbushur obligimin e realizimin e të drejtës së tyre kushtetuese, për më tepër nuk mund ta ndalni mbajtjen e seancës, sepse Kuvendi mblidhet dhe vendos edhe pa ju”, ka shtuar ai.
Mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë është mbështetur nga të gjitha partitë shqiptare përveç Vetëvendosjes, por edhe një pjesë e deputetëve të komunitetit joshumicë.