Shala i Nismës: Kemi oferta për koalicion, s’kemi marrë ende vendim
Shefi i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Endrit Shala, ka thënë se kjo parti është e gatshme për zgjedhjet e parakohshme, të cilat pritet që të mbahen se shpejti.
“Nisma si subjekt politik është e përgatitur gjithmonë për zgjedhje kurdo që ato të mbahen. Tani e kemi një vendim të Kushtetueses që ne e respektojmë dhe vazhdojmë më tutje”, ka thënë Shala emisionin “Frontal”, në “T7”.
Shala ka folur edhe për mundësinë që Nisma të shkojë e vetme në zgjedhje apo të bëj koalicion me ndonjërën nga partitë politike në vend.
“Ne nuk kemi marrë vendim ende për këtë çështje. Normalisht ajo çfarë mendon shumica e udhëheqjes së Nismës dhe është kërkesë e shumicës është që Nisma të garojë e vetme. Ne jemi të gatshëm që të garojmë të vetëm. Por në diskutim me të tjerët, ne së shpejti do ta marrin një vendim“, ka thënë Shala, duke u deklaruar edhe rreth ofertave për koalicion për partitë të tjera.
“Nga organet drejtuese të Nismës do të merret vendimi dhe ne do të tregojmë se a do të shkojë Nisma e vetme apo në koalicion. Kemi oferta të shumta nga parti të tjera për të bashkëpunuar”, ka thënë ai.