Shala i PDK-së akuzon KPMM-në për sabotim të bizneseve
Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka akuzuar Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) për sabotim të bizneseve.
Ai ka thënë se bordi i KPMM-së me urdhra politikë është duke e goditur bizneset.
Shala ka thënë se me Bedri Hamzën kryeministër, bizneset do të trajtohen me korrektësi.
“Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) që është rregullator i minierave, nën diktatin e politikës ditore, po vazhdon të shkelë ligjin dhe të sabotojë punën e qindra ndërmarrësve. Tashmë dihet edhe publikisht se bordi i këtij rregullatori, me urdhra politikë, po e godet rëndë një industri të tërë dhe po e vështirëson ekzistencën e mijëra punëtorëve të kësaj industrie. Duke shfrytëzuar kohën e fushatës elektorale, kur nuk ka llogaridhënie, bordi po vazhdon me ndjekjen dhe dëmtimin e ndërmarrjeve private. Ne ju garantojmë të gjitha bizneseve të goditura se këto probleme të tyre do të zgjidhen shpejtë dhe me korrektësi menjëherë në muajt e parë të qeverisjes së kryeministrit të ri Bedri Hamza”, ka shkruar Shala në “Facebook”.
Ferat Shala në listën e PDK-së për deputet garon me numrin 16.