Shala i PDK-së: Koeficienti 2 nuk i përmbush as premtimet e draftligjit për pagën minimale
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka kritikuar qeverinë për Projektligjin nr. 08/L-213 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 08/L-193 mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023, i cili është duke u diskutuar në Kuvend.
Ai ka thënë se ky projektligji, i cili e definon koeficientit e pagave është në kundërshtim me pagën minimale, të cilën e ka paralajmëruar Qeveria e Kosovës.
“Sot po e definojnë koeficientin të cilin e përcakton ky ligj, ndërsa koeficienti minimal 2 nuk i përmbush as premtimet e draft-ligjit për pagën minimale që është 264 euro. Nëse e bëjmë një matematikë të thjeshtë i bij se paga e koeficientit 2 do të jetë 210 euro. Pra, për shkak të lojërave po i mashtrojmë qytetarët se paga minimale do të jetë 210 euro ashtu siç është nominuar deri me tani”, ka thënë Shala.
Më tutje, ai thënë se me këtë koeficient do të dekurajohen të rinjtë.
“Kush do ta gëzojë koeficientin 2? Rekrutet, të rinjtë, ata që për herë të parë dalin në tregun e punës e të cilët do të marrin hiç me pak se 210 euro?”, ka thënë Shala.
Ai ka kërkuar që të merret parasysh propozimi i PDK-së për vlerën e koeficientit, i cili ka thënë se koeficienti i pagës duhet të jetë 120 euro.