
Shala i PDK-së, Kurtit: Boll na fole për 20 vitet e kaluara, e ke pushtetin absolut në dorë
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ia ka kujtuar kryeministrit Kurti se e ka në dorë “pushtetin absolut” për të vepruar edhe sa i përket energjetikës.
Ai i ka bërë thirrje Kurtit ta lë anash retorikën boshe për 20 vitet e kaluara.
Më tutje, ai ka thënë se kryeministri Kurti nuk ka vepruar me kohë ndaj krizës së paralajmëruar energjetike.
“Kryeministri ka pushtetin absolut, edhe rregullatorët e pavarur i ka nën menaxhimin e tij. Në rregull pra! I ka kërkuar ia keni dhënë, iu ka premtuar, i keni besuar, por sot ku jemi? Askund nuk jemi me premtimet që ka dhënë! Vend gjysmë i izoluar, me ekonomi të stopuar, asnjë lopatë inaugurimi nuk shihet askund në Kosovë. Asnjë projekt i ri as i vjetër. Kryeministri na sjell retorikën mbi 20-vjeçare boshe për të kaluarën. Ju duhet të jeni këtu për të ardhmen, për zhvillimet, për të menaxhuar situatën politike, pandemike, energjinë, për të ulur inflacionin e jo për të rritur. Fillo me projektet, mos i përsërit gabimet nëse ka pasur në të kaluarën. Të gjitha resurset e këtij vendi i ke në dorë kryeministër”, ka thënë Shala.