Shala i PDK-së: Për dy muaj Murati ia ndan AKP-së mbi 757 mijë euro për paga dhe mëditje
Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti dhe deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka bërë me dije se ministri i Financave, Hekuran Murati, me vendim të veçantë ia ka ndarë Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) mbi 757 mijë euro për paga dhe mëditje dhe atë vetëm për dy muaj.
“Si rezultat i lojërave propagandistike, për dy muajt e fundit, heshturazi, AKP-ja dhe Hekuran Murati ishin dakorduar që ky i fundit të ndajë edhe 757.802 euro, për të mbuluar vendimin e kontestuar për zvogëlimin e pagave të punëtorëve i nxjerr nga Bordi i AKP-së”, ka shkruar Shala në “Facebook”.
Postimi i plotë i Shalës:
Ministri Hekuran Murati me vendim të veçantë i ndanë AKP-së 757.802 euro për paga dhe mëditje, për muajt nëntor-dhjetor 2022
Në vitin kur të gjithë ne pritnim shuarjen e AKP-së, Qeveria dhe bordi i AKP-së kishin nxjerr rregullore të re dhe kishin miratuar vendimin për uljen e pagave.
E vërteta del që AKP gjatë tërë vitit 2022 kanë realizuar pagat e njëjta, pa i zbritur ato fare.
Si rezultat i lojërave propagandistike, për dy muajt e fundit, heshturazi, AKP dhe Hekuran Murati ishin dakorduar që ky i fundit të ndajë edhe 757.802 euro, për të mbuluar vendimin e kontestuar për zvogëlimin e pagave të punëtorëve i nxjerr nga Bordi i AKP-së.
Bordi i AKP-së po vazhdon shitjen e aseteve nacionale, me të njëjtën metodologji, me të njëjtën praktikë, pa ndryshuar asgjë nga praktikat e kaluara.