Shala i PDK-së: Qeveria po mundohet t’i fusë në qorrsokak shërbyesit civilë
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka thënë se qeveria Kurti është e paaftë në raport me funksionimin e institucioneve publike.
Ai ka shkruar në “Facebook” se qeveria po mundohet t’i fusë shërbyesit civilë në një qorrsokak duke i mashtruar që të njëjtit të nxjerrin vendime të kundërligjshme pa bazë ligjore si ushtrues të detyrave.
Postimi i plotë i Shalës:
Qeveri e paaftë dhe pa alternativë të funksionimit të institucioneve shtetërore!
Përderisa Qeveria e Kosovës po nxjerr opinione të brendshme ligjore, duke arsyetuar dështimin e saj, po mundohet të fusë shërbyesit civil në një qorrsokak duke i mashtruar që të njëjtit të nxjerrin vendime të kundërligjshme pa bazë ligjore si ushtrues të detyrave.
Opinioni publik është i informuar që Qeveria e Kosovës nuk është pajtuar me verdiktin e Gjykatës Kushtetuese, dhe me këtë qëllim ka futur në plotësim ndryshim ligjin për zyrtar publik, krejt kjo me qëllim të rifutjes së neneve të kontestuara nga Partia Demokratike e Kosovës, të vërtetuara si shkelje flagrante e Kushtetutës nga Gjykata Kushtetuese.
Andaj, Qeveria duhet të jetë mendjehapur që në kurriz të amandamentimit të nenit 35 të Ligjit për Zyrtarët Publikë mos të fajsojë nesër opozitën për bllokim të institucioneve, sepse në këtë formë si ata kanë proceduar ligjin në Kuvend duke rifutur nenet antikushtetuese, Partia Demokratike e Kosovës e ka të domosdoshme t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, për të mbrojtur kushtetutshmërinë.